Klubi i Futbollit Vllaznia po kalon një periudhë tjetër të vështirë pas rënies nga kategoria. Rikthimi në Superiore duket se nuk e ka gjetur të përgatitur siç duhet skuadrën shkodrane. Problemet e zgjedhjeve lokale, me sa duket, me shumë se çdo “sh.a.” tjetër që është pronë e bashkisë, po i ndjen Klubi i Futbollit Vllaznia.

Për vite të tëra me radhë, klubi po menaxhohet nga bashkia, ndërsa tentativat për ta bërë të mundur kalimin e klubit në duart e privatit, me sa mësohet, kanë qenë në vendnumëro. Nga sa është bërë e ditur, Bashkia e Shkodrës ka dashur që ta lëshojë klubi për ta privatizuar.

Nga burime pranë klubit mësohet se edhe interesim ka pasur në këtë drejtim, por borxhet e trashëguara që shkojnë në një shumë të konsiderueshme prej 1 miliard e 200 milionë lekësh të vjetër bëjnë që edhe të interesuarit të largohen. “Mjeshtri e Merituar i Sportit” Hysen Zmijani zbuloi faktin se pas kontakteve me drejtues të klubit nuk e fshehin faktin se ka një interesim në këtë drejtim.

“Nga kontaktet që kam pasur me drejtues të klubit, më është thënë se ka interesim për ta privatizuar, por borxhet e larta bëjnë çdo biznesmen të interesuar që të largohet”, është shprehur Zmijani. Me sa duket, privatizimi mund të jetë shumë i vështirë nëse bashkia nuk merr përsipër borxhet e klubit. Në kushte të tilla, Vllaznia do të vuajë sërish.

PREMTIMI – Vllaznia ka disa vite që është në udhëkryqin e privatizimit. Që në marrjen e mandatit nga ana e kryetares aktuale të Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, u fol shumë për kalimin e aksioneve të klubit në duart e privatit. Por, kanë kaluar katër vite dhe mes shumë peripecive, Vllaznia sërish lundron në të njëjtat ujëra.

Pak muaj më parë u përfol se procedurat e privatizimit ishin drejt fundit dhe se kompania audituese që po kryente vlerësimin e aksioneve kishte gjithçka gati. Por, ajo që tani shikohet është se në asnjë moment, tani kur duhet që gjithçka të ishte gati, nuk ka asgjë konkrete.

Fillimi i shitjes së aksioneve duket larg dhe si rrjedhojë edhe privatizimi duket se është vetëm një nocion që po kërkohet nga shkodranët, por edhe nga vetë klubi. Tani më shumë se kurrë, në një situatë aspak të qetë edhe zgjedhore, nuk di kush të thotë se kur do të nisë puna te Vllaznia dhe për më tepër se kur do të jetë ajo ditë që ky klub të mos varet më nga bashkia./panorama-sport/