Dy muaj më parë, Briken Calja regjistroi një tjetër rezultat për peshëngritjen shqiptare, duke i dhuruar Shqipërisë 1 medalje ari dhe 2 argjendi në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, që u zhvillua në Gjeorgji.

Calja, i cili garoi në kategorinë e peshave 73 kg, u shpall kampion Europe në stilin e shkëputjes (165 kg), nënkampion në shtytje (183 kg) dhe nënkampion në dygarësh 339 kg). 29-vjeçari nga Shtërmeni tashmë ka nisur përgatitjet për një tjetër event të rëndësishëm siç është Kampionati Botëror, që do të mbahet në shtator në Tajlandë.

“Momentalisht, gëzoj një formë të mirë, ku jam në fazat e para për sa i përket fillimit të përgatitjes fizike. Jam gati për të dhënë përsëri më të mirën Shqipërisë, peshëngritjes dhe në kampionatet botërore. Për fat të mirë nuk kam pasur asnjë dëmtim dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme për çdo sportist. Jam në fazat e para të përgatitjeve për Kampionatin Botëror dhe shpresoj që të shkojë çdo gjë mirë deri në fund”, tregon Calja. Më pas, ai flet edhe për objektivat që i ka vënë vetes:

“Kampionati botëror është shumë i rëndësishëm për mua, pasi aty do të arrij të siguroj pjesëmarrjen direkte për në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’, pasi jam në top-listën e peshëngritësve më të mitë të botës. Ndonëse kam bërë vetëm dy gara, kam lënë pas shumë sportistë të tjerë, që kanë zhvilluar më shumë gara se unë këtë vit.

Kam arritur të marr pikët maksimale në këto dy kompeticione ku kam garuar. Pra, ky aktivitet do të jetë tepër i rëndësishëm dhe do të shkoj për të dhënë rezultatet e mia më të mira dhe do të synoj medaljet dhe kualifikimin.

Të mos harrojmë që medalja është diçka e jashtëzakonshme, pasi aty do të garojnë sportistët më të mirë të gjithë botës dhe të gjithë e dimë se çfarë shtetesh të fuqishme janë, në çdo aspekt, në krahasim me kushtet tona”. Kampioni i Europës në shkëputje flet edhe për brezin e ri të shtangistëve kuqezi: “Për sa u përket të rinjve mund të them që jemi me hapa shumë të ngadalta, duke parë edhe problematikat e shumta që ka pasur sporti nga ana financiare, si dhe kushtet e vështira.

Por, shpresoj dhe besoj që do të ketë përsëri elementë, pavarësisht problematikave të shumta që ekzistojnë. U bëj apel të gjithë sportistëve të rinj që të punojnë dhe të mos ndalen para vështirësive, pasi duke punuar mund të arrihet gjithçka. As unë nuk i kam pasur kushtet, por me punë ia kam dalë të arrij këtu ku jam sot. Çelësi i çdo suksesi në sport është puna dhe vetëm puna”.

MEDALJET DHE SHPËRBLIMI
Përveçse është një prej sportistëve më të suksesshëm shqiptarë, Calja njihet gjithashtu edhe për kalvarin e gjatë që ka kaluar për të marrë shpërblimin dhe djersën e rezultateve fantastike që ka arritur. Ai fitoi 3 medalje të arta një vit më parë, por u pagua vetëm për njërën (dygarëshin).

Po tri medalje fitoi edhe në Europianin e Gjeorgjisë (1 ari e 2 argjendi). Shtangisti kuqezi nuk është aspak dakord me llogaritjen që bëhet për shpërblimin dhe kërkon të përdoret standardi që ka vendosur Federata Botërore, ku duhet vlerësuar çdo medalje dhe jo vetëm dygarëshi.

“Unë jam kampion në Europe në stilin e shkëputjes, ndërkohë në shtytje dhe në dygarësh fitova medaljen e argjendit. Këtu i bien shkurt dhe thonë vetëm dygarësh, por nuk është kështu pasi unë jam kampion Europe në shkëputje. Vetë Federata Botërore e Peshëngritjes e thotë shumë qartë që çdo stil ka kampionin e tij, bashkë me dygarëshin.

Unë nuk kërkoj asgjë tjetër, vetëm të zbatohet ashtu siç është e shkruar rregullorja e Federatës Botërore. Kam fituar medalje ari dhe jam i pari i Europës në shkëputje. Vetëm në Lojërat Olimpike kemi të bëjmë me dygarësh. Pra, është shumë e qartë unë kam fituar tri medalje dhe jo një, kështu që më takon të shpërblehem për tre. Unë nuk jam kampion, nënkampion Europe, por jam një herë kampion dhe dy herë nënkampion, ky është rezultati i aktivitetit të zhvilluar në Gjeorgji.

Më është mohuar një e drejtë dhe kjo është diçka që më takon si për këtë Europian, ashtu edhe për kampionatin e një viti më parë, ku fitova tri medalje ari”, deklaron 29-vjeçari.

I pyetur nëse ka menduar t’i drejtohet gjykatës për këtë çështje, Calja shprehet: “Të them të drejtën, shpresoj që kjo situatë të zgjidhet pa qenë nevoja për t’iu drejtuar gjykatës. Besoj se duke iu referuar dokumentacionit, ministria do të reagojë dhe do të më vlerësojë ashtu siç më takon”.