Të rinjtë e Fiorentinës, kanë arritur të mbyllin një sezon të suksesshëm në Itali, duke qenë se kanë fituar Kupën e Italisë për të rinj dhe njëkohësisht janë renditur në vendet e para në klasifikim.

Kapiteni i skuadrës violë për të rinj, është mesfushori nga Shkodra, Erald Lakti i cili këtë sezon ka qenë ndër më të dalluarit duke u grumbulluar nga Viçenzo Montela edhe me skuadrën e parë.

Kapiteni shkodran u shpall pak ditë më parë lojtari më i mirë i sezonit për Primaverat duke arkivuar në këtë mënyrë trofeun e dytë pas atij të Kupës së Italisë.

Nëpërmjet një postimi në “Instagram”, Lakti i ka falënderuar të gjithë për këtë sezon që është njëkohësisht edhe i fundit me të rinjtë e Fiorentinës. Lakti ka një kontratë profesioniste me Fiorentinën dhe javët në vijim, pritet të merret dhe një vendim për të.

“Për fat të keq, sezoni përfundoi edhe këtë me një grup të cilin gjithmonë do ta mbaj me vete. Dua t’iu falënderoj të gjithëve për gjithçka që kemi krijuar si brenda, ashtu edhe jashtë fushë. Ne kemi qenë dhe do të jemi një familje që këtë sezon ka arritur kënaqësi të jashtëzakonshme duke fituar një trofe prestigjioz siç është Kupa e Italisë.

Një falënderim shkon edhe për stafin që nuk ka lejuar të na mungojë asgjë dhe që kanë vuajtur e janë gëzuar së bashku me ne. Faleminderit djema, ju dua! Kapiteni juaj”, shkruhej në dedikimin e Laktit për skuadrën./vipsport/