Sfida e javës së 28-të e luajtur në qytetin e Kurbinit, mes Laçit dhe Kukësit, u mbyll me fitoren e verilindorëve, me shifrat minimale 0-1.Pjesa e parë, në ndeshjen debutuese për Ernest Gjokën, ishte e barabartë për të dyja ekipet, me pak raste për të dyja formacionet.

Me fillimin e të dytës, ekipet shtuan forcën sulmuese, ndërsa të dyja patën edhe pretendime për penallti në zonat respektive. Laçi pretendoi për një prekje me dorë të Rrocës, ndërsa nga ana tjetër Rama u pengua brenda zone, por asgjë për kryesorin Koçi.

3 pikët në ndeshjen e parë, Gjokës ia dha Vesel Limaj, me një perlë nga pothuajse 40 metra. Lojtari i Kukësit, goditi fort dhe lart topin, i cili nuk arriti të ndalej nga portieri Selmani.

Në fund, ekipi i Starovës pëson humbjen e parë që kur ai e ka marrë drejtimin, dhe mbetet në vendin e pestë me 41 pikë, ndërsa Kukësi në vendin e dytë me 48 pikë, vetëm 6 më pak se Partizani.

Laçi-Kukësi 0-1
GOL: / Limaj 88′

Kastrioti ka mposhtur Luftëtarin me rezultatin 1-0 në sfidën e zhvilluar në “Redi Maloku”, të vlefshme për javën e 28-të të Kategorisë Superiore. Goli i Herald Markut me 11-metërsh në minutën e 26-të i dha fitoren skuadrës krutane.

11-metërshi u fitua nga braziliani Roxher, i cili përfitoi nga dalja e gabuar e portierit Ruçi, e cila i kushtoi shtrenjtë skuadrës së Ahmatajt. Në minutat e fundit të ndeshjes u regjistruar edhe një moment i dyshimtë, teksa Dunga, gjeti rrugën e rrjetës, por u anulua nga gjyqtari anësor për pozicion jashtë loje.

KASTRIOTI-LUFTËTARI 1-0
H.Marku 26′ (p)