Episodi i ndodhur në ndeshjen Bylis–Vora (2–1) ka ndezur një debat të nxehtë mes dy ish-gjyqtarëve të njohur, Lorenc Jemini dhe Klajdi Kola, të cilët kanë interpretime të ndryshme për përdorimin e telefonit në pankinë.

Gjithçka nisi pas komenteve të Kolës në një studio sportive, ku ai theksoi se përdorimi i celularit lejohet për arsye teknike, si ndjekja e GPS-it dhe analizat e performancës së lojtarëve. Ky qëndrim nuk u prit mirë nga Jemini, i cili reagoi menjëherë publikisht.

“Dëgjova një çudi të madhe nga një prej atyre që dalin nëpër studio (Klajdi Kola) dhe tha: ‘Shiko, lejohet celulari, sepse këta komunikojnë për të parë GPS-in, sa kilometra vrapojnë lojtarët.’” – u shpreh Jemini.

Por përgjigjja e Kolës nuk vonoi. Ai reagoi me tone ironike në rrjete sociale:

“Mesa duket, disa persona ende jetojnë në muzeun e madhështisë së vet, aty ku koha ka ndaluar dhe rregullorja e lojës s’është lexuar kurrë më.

Unë thjesht citova rregullin live, pas pyetjes së moderatores Hygerta Sako. Po e publikoj vetë rregullin, që të mos ngatërrohet më rregullorja e lojës me katalogun e modës.”

Polemika mes dy ish-zyrtarëve të fushës ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale, duke ndezur diskutimin mbi përdorimin e pajisjeve teknologjike në pankinat e futbollit shqiptar — një çështje që duket se do të vazhdojë të prodhojë reagime edhe në ditët në vijim.