Edi Martini mbetet në mendjen e tifozëve të Vllaznisë si një ndër futbollistët më të mirë shkodran, autor i shumë golave spektakolarë. Në fakt, karriera e tij sportive u mbyll më herët se sa duhet, por tashmë ai ka zgjedhur karrierën e trajnerit.

Megjithatë, gjatë karrierës së tij si futbollist, Martini ka përfaqësuar kryesisht ngjyrat e Vllaznisë, por ka luajtur edhe jashtë vendit me Vevçe, ekip slloven, Klagenfurt, ekip austriak dhe Eintracht Frankfurt në Gjermani. Ai iku nga Shqipëria e shkatërruar nga lufta për në Gjermani në vitin 1997, pas një ndeshjeje në Spanjë, së bashku me shokun e skuadrës, Adrian Dashi. Ndërkohë, përveç Vllaznisë dhe ekipeve të huaja, në Shqipëri ka luajtur edhe për Luftëtarin, Besëlidhjen dhe Apoloninë.

Ndërkohë, Martini bëri debutimin e tij ndërkombëtar për Shqipërinë më 14 maj 1994, gjatë humbjes 5-1 jashtë fushe ndaj Maqedonisë, duke u aktivizuar si zëvëndësues në pjesën e parë, në vendin e Gentian Stojkut. Një vit më vonë, më 16 gusht 1995, ai bëri paraqitjen e tij të dytë në një përmbysje 2-1 ndaj Maltës, duke luajtur plot 90-minuta.

Më pas, për të kaluar te karriera e trajnerit, Martini e nisi tek Luftëtari i Gjirokastrës, e vazhdoi me Kombëtaren e mini-futbollit, për të kaluar më pas tek Laçi, Vllaznia, Teuta, Luftëtari sërish dhe dy sezonet e shkuara tek Teuta përsëri, teksa në sezonin e parë fitoi edhe titullin kampion me ekipin durrsak.

Më 29 dhjetor 2009, Martini u emërua trajner i klubit të Vllaznisë dhe filloi punën me ekipin më 4 janar 2010. Ai qëndroi në detyrë deri në fund të sezonit 2009-2010, me Vllazninë, e cila humbi kompeticionet europiane për vetëm katër pikë dhe ishte nënkampione e Kupës së Shqipërisë, duke humbur në finale ndaj Besës së Kavajës.

Deri më tani në moshën 47-vjeçare, për Martinin duket një karrierë me shumë stacione dhe e pasur, si futbollist apo edhe si trajner, por natyrisht që në të ardhmen do pasurohet sërish, sepse ai është një njeri shumë pasionant dhe nuk do heqë dorë kollaj nga futbolli, pasioni i vetëm i tij i jetës. Jetë të gjatë profesor Edi Martini! Shpresojmë që një ditë të shohim në krye të Vllaznisë, duke festuar titullin kampion si trajner, ashtu siç bërë si futbollist…
Maringlen ZHIVANI