Shpeshherë rrëmbehemi nga emrat kryesorë, ata që janë në rresht të parë. Ata që dalin më shpesh në media dhe shfaqnen më shumë si protagonistë. Por në fakt, “harrojmë” edhe disa personazhe të tjerë të cilët janë po aq të rëndësishëm dhe kanë edhe ata rolin e tyre determinant në ecurinë e një ekipi.

Mjafton të kujtojmë Esat Rakiqin dhe kemi kuptuar shumë gjëra. Një njeri që punoi mbi 30 vjet si zëvendëstrajner dhe ndonëse nuk deshi të shfaqej asnjëherë si protagonist, la gjurmë në gjithë karrierën e tij të ndritur.

Por duket se nuk ka qenë vetëm i ndjeri Rakiqi i tillë. Sot kemi një tjetër rast të një tjetër trajneri që duket se po ndjek këtë rrugë. Ai është Gjon Kola, zëvendëstrajneri aktual i ekipit Vllaznia U19.

Punon prej vitesh bashkë me trajnerin Luan Zmijani dhe kanë bërë një punë të shkëlqyer duke nxjerrë lojtarë të talentuar të cilët kanë mbushur dhe po mbushin jo vetëm rradhët e Vllaznisë por edhe të ekipeve të tjera të Superligës.

Gjon Kola ka qenë një nga futbollistët më të talentuar të fundit të viteve ’70 dhe njëkohësisht sulmuesi dhe golashënuesi më i mirë i ekipit të të rinjuve të Vllaznisë, duke qenë pjesë e një brezi të shkëlqyer si Hysen Zmijani, Viktor Briza, Bepin Pali etj.

Dhe duke qenë se ishte ndër më të spikaturit e këtij brezi, padyshim që do të inkuadrohej në ekipin e të rriturve të Vllaznisë. Paraqitjet e mira me kuqeblutë, bënë që trajneri i kombëtares Shpresa Medin Zhega, ta grumbullonte në ekip.

Por ky grumbullim duket se nuk i pëlqeu dikujt ne Shkoder dhe në Komitetin e Partisë ku bëhej edhe politika e sportit pati një reagim. Si rrjedhojë prej zyrave të tij doli urdhëri që u shkoi trajnerëve të ekipit të parë Ramazan Rragami dhe Esat Rakiqi për të mos e pranuar më në stërvitje.

Dhe këtu u mbyll karriera e Gjon Kolës me Vllazninë, një karrierë që i zgjati vetëm dy vjet. Më pas, provon të luajë për disa vite me Tërbunin fillimisht, e më vonë me Veleçikun ku spikat me lojën dhe golat e tij. Gjoni është shquar si një futbollist shumë teknik dhe me këtë veti i bënte për vete tifozët.

Karrieren sportive do ta mbyllte ne Malte, aty ku do te luante per 5 vjet me rradhe, nga 1992 deri me 1997 dhe kuptohet qe ka lene gjurme edhe ne futbollin e ketij vendi.

Pas lënies së sportit, ka nisur të punojë si trajner. Fillimisht ka punuar si trajner moshash me ekipe të ndryshme në Shkodër, ndërkohë që më pas kalon si zëvendëstrajner tek Ada duke punuar me Kreshnik Krepin.

Më pas, e afrojnë tek Akademia Vllaznia ku fillimisht drejton një ekip të moshave të vogla, ndërsa prej disa vitesh tashmë punon si zëvendëstrajner me ekipin U19 duke qenë krahu i djathtë i Luan Zmijanit. Një dyshe kjo që bashkëpunon në mënyrën e duhur për të arritur tek suksesi.

Gjoni duket i kënaqur me të qënurit “i dytë”. Ndoshta edhe nga përvoja e hidhur që ka provuar si futbollist sepse pikërisht në momentin kur provoi të kapë majën, nuk e lanë. Mbase është më mirë kështu dhe ai duket i kënaqur. Ajo që e gëzon më shumë, është se e bën me shumë dëshirë e sinqeritet këtë punë dhe sheh të rriten çdo ditë nëpër duart e tij shumë lojtarë të talentuar./SHKODRA-SPORT.COM/