Thursday, April 2, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREPERSONAZH/ Hysen Omi, shkodrani që ka fituar 40 tituj kampion si sportist...

PERSONAZH/ Hysen Omi, shkodrani që ka fituar 40 tituj kampion si sportist dhe trajner në sportin e mundjes

Shkruar nga Gjergj KOLA

Ka lindur në Shkodër dhe e ka filluar sportin me Vllazninë, por thuajse të gjitha sukseset do t’i kishte me ekipin e Partizanit. Si sportist dhe si trajner. E kemi fjalën për një nga emrat më të mëdhenj të historisë së mundjes shkodrane e shqiptare, Hysen Omi.

Ky kampion ka lindur në Shkodër më 12 gusht 1942 dhe me sportin e mundjes do të lidhej në një moshë të vogël. Bashkë me disa shokë të lagjes “Rus”, bëhen pjesë e ekipit të të rinjve të Vllaznisë dhe në të parin kampionat ku merr pjesë, do të shpallej kampion në peshat e lehta.

Por pikërisht pas këtij kampionati, do t’i bashkohej Partizanit, skuadër me të cilën do ta vazhdonte karrierën e tij si sportist deri në fund dhe më pas do të niste edhe atë të trajnerit, që do ta ushtronte për shumë vite me rradhë.

Duke përfaqësuar ekipin e Partizanit, Hysen Omi do të shpallej 12 herë kampion i vendit, do të fitonte 13 herë Kupën e Republikës, do të ishte fitues i Spartakiadës Kombëtare dhe po ashtu do të ishte i suksesshëm edhe në disa aktivitete ndërkombëtare teksa rregjistron 10 fitore në këto takime.

Pas lënies së sportit, do të angazhohej si trajner tek ekipet e moshave të Partizanit dhe më pas edhe tek ekipi i parë duke stërvitur e nxjerrë me dhjetra kampionë të cilët kanë lënë gjurmë në historinë e këtij sporti në vendin tonë. Dhe jo më kot, shumë prej këtyre sportistëve sukset e tyre ia kanë dedikuar trajnerit Hysen Omi. Në total ky i fundit ka rreth 40 tituj kampionë të fituar në karrierën e tij.

Për të gjitha këto merita, Hysen Omi ka marrë edhe disa vlerësime, duke filluar nga ai si “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Klubit Partizani”, për të mbërritur tek titulli më i lartë, ai i akorduar nga Presidenti i Republikës me datë 15 janar 2021 kur u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për punën e palodhur dhe rezultatet e larta në mundjen klasike. Sportist e trajner i talentuar, me rezultate të shkëlqyera, të arritura në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare”.

Pak ditë më parë ndërkohë mori edhe një tjetër vlerësim, këtë herë nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar i cili e dekoroi me “Urdhërin Olimpik”, pikërisht për shkak të karrierës së tij të shkëlqyer si sportist dhe trajner dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në sportin e mundjes.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments