Friday, March 27, 2026
FAQJA E PARE PA KATEGORIPERSONAZH/ Kliton Cafi, një dekadë besnikëri ndaj Besëlidhjes dhe mbi 100 gola...

PERSONAZH/ Kliton Cafi, një dekadë besnikëri ndaj Besëlidhjes dhe mbi 100 gola në karrierë

Shkruar nga Engjëll GJOLAJ

Ish-futbollisti lezhjan Kliton Cafi, i cili ka lënë gjurmë të rëndësishme në futbollin shqiptar, kujton me nostalgji karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme. Në një intervistë të dhënë për “Shkodra Sport”, ai rrëfen fillimet, momentet më të bukura dhe sfidat e rrugëtimit të tij sportiv.

I lindur më 3 qershor 1979 në qytetin e Lezhës, Cafi përfundoi shkollën e mesme të përgjithshme po në vendlindje. Hapat e parë në futboll i hodhi që në klasën e dytë, në shkollën “Gjergj Kastrioti”, përmes klasave sportive, duke treguar që herët pasion dhe talent për këtë sport.

Në moshën 16-vjeçare, ai veshi fanellën e ekipit të parë të Besëlidhjes, nën drejtimin e trajnerit Ritvan Kullin. “Ka qenë një moment i paharrueshëm për mua. Fanella e Besëlidhjes ka pasur gjithmonë një peshë të veçantë”, shprehet Cafi.

Ndeshja e parë dhe emocionet e para

Debutimi i tij daton në sezonin 1994-1995, në një ndeshje në Berat ndaj Tomorit, ku Besëlidhja fitoi 2-1. “Ishte një ndeshje që nuk do ta harroj kurrë. Ndjeva një kënaqësi të jashtëzakonshme”, kujton ai.

Cafi ka luajtur për 10 vite radhazi me Besëlidhjen, duke u kthyer në një nga lojtarët më të qëndrueshëm të ekipit. Gjatë kësaj periudhe, ai përjetoi si momente të mëdha, ashtu edhe sfida të vështira.

“Një nga ndeshjet më emocionuese ishte përballja me Dinamon, që përfundoi 1-1. Tifozët hynë në fushë dhe për këtë arsye u dënuam me dy ndeshje. Ndërsa momentet më të vështira kanë qenë humbjet në fushën tonë, përpara tifozëve,” tregon ai.

Trajnerët dhe bashkëlojtarët që lanë gjurmë

Gjatë karrierës së tij, Cafi ka punuar me disa trajnerë të njohur si Ritvan Kullin, Vasil Bici, Isuf Pelingu, Luan Vukatana dhe Mehdi Zhega. “Nuk mund të veçoj asnjërin, pasi secili ka dhënë kontributin e vet në formimin tim si futbollist,” thotë ai.

Ndërsa nga bashkëlojtarët, ai veçon Leonard Perloshin si një nga ata që e kanë mbështetur më shumë në fushë.

Kundërshtarët më të fortë dhe sukseset personale

Sipas Cafit, kundërshtarët më të vështirë për Besëlidhjen kanë qenë gjithmonë Vllaznia dhe Tirana.

Në aspektin personal, ai ka realizuar mbi 100 gola gjatë karrierës së tij, duke qenë një sulmues i spikatur. Përveç Besëlidhjes, ai ka luajtur edhe me skuadra të tjera si Laçi, Shkumbini, Flamurtari, Struga dhe Korabi i Dibrës së Madhe në Maqedoni.

Veçanërisht i suksesshëm ka qenë sezoni 1999-2000 në kategorinë e dytë në Maqedoni, ku shënoi 22 gola dhe u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit. Në total, me ekipet në Maqedoni, ai ka realizuar 34 gola.

Familja, mbështetja më e madhe

Një moment emocional gjatë intervistës ishte kur u përmendën prindërit e tij. “Roli i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm. Kanë qenë prindër, edukatorë dhe gjithçka në jetën time. Pushofshin në paqe,” u shpreh i prekur Cafi.

Ai vjen nga një familje e lidhur ngushtë me futbollin, pasi edhe vëllai i tij, Emiliani, ka qenë pjesë e Besëlidhjes si portier.

Parashikimet dhe Besëlidhja sot

I pyetur për skuadrën më të mirë në botë dhe fituesin e Botërorit 2026, Cafi përgjigjet shkurt: “Kam vetëm një emër: Brazilin.”

Sa i përket Besëlidhjes aktuale, ai shprehet optimist: “Skuadra është në rrugën e duhur drejt rikthimit në Kategorinë e Parë. I uroj vetëm suksese.”

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments