Sabah Bizi ka qenë dhe mbetet një nga legjendat dhe talentet më të mëdha të futbollit shqiptar. Bizi, i lindur më 13 nëntor 1946 në Shkodër, në shtëpinë e parë të futbollit shqiptar, ka luajtur për Vllazninë dhe Partizanin, si edhe ekipin e Kombëtares së Shqipërisë.

Ai është nga ata futbollistë, të cilët lindin shumë rrallë, që me punën, aftësinë dhe përkushtimin e tij, ka kontribuar në rezultatet më të larta kombëtare dhe ndërkombëtare, por edhe në rritjen e krenarisë dhe të imazhit tonë kombëtar.

Në treshen e artë të Vllaznisë, Bizi-Rragami-Zhega ai ishte gjithçka në formacionin e saj, por gjithashtu edhe në Kombëtaren e Shqipërisë. Pa ngurrim mund të themi se, Bizi është futbollisti më i gjithanshëm në historinë e futbollit tonë.

Ai solli tiparet moderne të roleve të ndryshme në fushë, duke qenë njeriu që udhëhiqte gjithë skuadrën. Bizi kishte një teknikë rracionale, të milimetruar, kilometrazh lëvizjeje në gjithë fushën si askush tjetër, pasim të pagabueshëm, organizator dhe bllokues i njëkohshëm, por edhe golashënues i saktë përmes golave që nuk harrohen ende sot. Jo vetëm kaq, por Bizi kishte edhe vrapim dhe elegant, kishte klas të lartë në mbajtjen dhe përdorimin e topit, teksa me pak fjalë ishte një futbollist universal në të gjithë fushën, korrekt dhe gjithmonë modest.

Padyshim një yll i shndritshëm i gjeneratës së tij, kur luajti për Vllazninë, Partizanin dhe ekipin e Përfaqësueses së Shqipërisë. Një talent i madh që ka luajtur në të gjithë rolet, përveç portierit, një “Beckenbauer” shqiptar. Për 18-vite, Bizi pat luajtur në nivelin më të lartë të futbollit.

Gjatë viteve 1967-1976 me Përfaqësuesen kuqezi, zhvilloi 15 ndeshje dhe shënoi një gol. Bizi debutoi në 8 prill 1967 në Dortmund kundër RFGJ, ndërsa ndeshjen e fundit e luajti në një miqësore kundër Algjerisë.

Në një intervistë të disa viteve më pare, mjeshtri shkodran ka rrëfyer:

“Përpara disa vitesh, erdhi dhe më takoi një bashkëqytetar dhe më tha se i kam bërë nder të madh. Djali i tij kishte punuar në një lokal, ku Beckenbauer ka shkuar si klient sëbashku me të shoqen. Gjatë shërbimit, aksidentalisht ai ka derdhur një gotë vere mbi fustanin e gruas së tij. Beckenbauer ishte nxehur mjaft dhe ka debatuar me djalin, por kur ka vënë re se nuk fliste mirë gjermanisht, ka pyetur pronarin, por edhe vetë djalin nga ishte.

Djali i frikësuar se do të pushohej nga puna, i është përgjigjur me gjysmë zëri së është shqiptar. Më tej, Beckenbauer e ka pyetur sërish se nga cili qytet dhe ai i ishte përgjigjur nga Shkodra. “Mos e njihni Sabahin? Bizin?” e ka pyetur sërish Beckenbaueri dhe djali i ishte përgjigjur se jetonte në një lagje me të. Më tej, gjithçka ishte normalizuar dhe i kishte lënë porosi djalit që të më dërgonte urimet e tij më të mira. Jam ndjerë shumë i vlerësuar që pas kaq shumë vitesh, ai më mbante sërish mend.”

Kaq i madh ishte Bizi në fushen e lojës. Një legjendë si Beckenbauer që ka luajtur kundër yjeve të tillë si Pele, Charlton dhe Cruyff, nuk harronte talentin e madh shqiptar, që e kishte markuar në Dortmund, Tiranë dhe në Karlsruhe.

Sabah Bizi prej vitesh ka humbur shikimin, por ka fituar përjetësisht dashurinë e madhe të të gjithë sportdashësve shqiptarë. Jetë të gjatë Bizi i madh!
Maringlen ZHIVANI