Samuel Nikaj është padyshim një prej trajnerëve shkodranë më të përgatitur. Ish-futbollisti kampion me ekipin e Vllaznisë, në vitin 1998 dhe ish-trajner i kësaj skuadre, është padyshim një nga trajnerët më të vlerësuar edhe nga opinioni sportiv.
Me emërimin në krye të skuadrave të ndryshme, Nikaj ka treguar se është një trajner profesionist, teksa me ekipe të ndryshme ka bërë realisht surpriza të këndshme, duke i ngjitur një kategori më lart. Kudo ku ka shkuar, ai ka goditur në shenjë me strategjinë e tij, duke i nxjerrë maksimumin ekipeve ku ka drejtuar.
Karriera e tij e pasur fillimisht si trajner i Adës dhe më pas edhe i skuadrave të tjera shqiptare, përfshirë edhe ato të Superiores, mes të cilave është edhe Vllaznia, i kanë dhënë Samuelit përvojën e duhur që të ketë meritat maksimale në detyrën e trajnerit.
Ai ka dalë si trajner nga Shkodra, por ka provuar të drejtojë në disa qytete të tjera, përfshi këtu Shqipërinë dhe Kosovën. Më parë, Samuel Nikaj ka ngjitur një kategori më lart Flamurtarin e Prishtinës në sezonin 2016-2017, Kastriotin e Krujës në 2017-2018 apo edhe Vushtrrinë në 2018-2019.
Ndërkohë, përveç ekipeve të lartpërmendura, Nikaj ka qenë edhe zv/trajner i Vllaznisë, trajner i kuqebluve të U-19, Mamurrasit, Tërbunit në Superiore, Besëlidhjes, Lirisë dhe Burrelit. Në vijim të kësaj karriere, këtë sezon futbollistik, ai e mbylli si trajner i Vushtrrisë, por pa arritur të sigurojë suksesin e përhershëm, megjithatë Nikaj ka një detyrë, të cilën ai e bën me shumë pasion.
Në fakt, këtë e ka vërtetuar përformanca tejet pozitive që skuadrat e tij kanë shfaqur në kampionat, ku edhe pse fillimisht pak kush i llogarit si pretendente për vendin e parë dhe kalimin në Superiore, me atë çfarë paraqesin në ndeshje, e plotësojnë me plot kuptimin e fjalës statusin e pretendentes për realizimin e objektivit të kalimit në Superiore.
Kudo ku shkon si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë së fundmi, Nikaj ka recetën fituese për të shpallur kampion ekipet që kërkojnë të futen në elitë. Megjithatë, më pas do të vijë gjithmonë i njëjti vendim, për t’u larguar. Një tjetër vlerë kjo e Nikajt, që me largpamësinë e tij, parashikon saktësisht edhe fatin se çfarë do të ndodhë pas një viti. Jo vetëm duke iu gëzuar fitores së momentit, por edhe duke menduar me detaje të ardhmen.
Ky është Samuel Nikaj, padyshim një prej trajnerëve shkodranë më të përgatitur dhe më të suksesshëm. Ai e ka drejtuar Vllazninë për një periudhë fare të shkurtër në mars të 2014, por shpreson shumë që një ditë t’i vijë edhe njëherë tjetër ai shans për të treguar se është një nga trajnerët më të mirë shkodranë, por jo vetëm edhe më gjërë. Vetëm suksese në karrierën tënde profesor Samuel Nikaj!
Maringlen ZHIVANI