Semir Gokaj, ndryshe i njohur edhe si Caja, është një ndër tre lojtarët, që është grumbulluar nga Kombëtarja e Shqipërisë në minifutboll. Lojtari i sipër përmendur, është pjesë e skuadrës së “Air Albania” në kampionatin 5X5.

Caja nuk është i panjohur për ambientin e futbollit në Shkodër. Kështu, Gokaj, në karrierën e tij profesioniste, ka qenë pjesë e Tërbunit dhe Adës.

35-vjeçari është marrë me futboll, por është detyruar të largohet prej tij për shkak të një dëmtimi të rëndë. Megjithatë, nuk mund të qëndrojë larg pasionit të tij të madh dhe për këtë arsye, po merr pjesë në kampionatin 5X5.

Ai synon të ndihmojë ekipin, në mënyrë që në fund të shpallen kampion. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ai i është përgjigjur edhe pyetjes për ftesën në Kombëtaren e Shqipërisë në minifutboll, teksa ai na tregoi se si ndihet për këtë ftesë.

“Po, është e vërtetë, që kam luajtur futboll të gjithë jetën time, por kampionati 5X5 është ndryshe dhe me shumë pasion.

Më kanë penalizuar shumë dëmtimet, kur ka qenë rasti për të luajtur futboll profesionist, sepse nuk është se nuk e kam luajtur.

Kam luajtur në Kategorinë e Parë, me Adën, me Tërbunin dhe me Veleçikun. Me këto ekipe e kam vazhduar, sepse nuk më është dhënë mundësia. Kam dalë edhe kampion Shqipërie me Flamurtarin në futsallë. Kam luajtur edhe në Champions League, me këtë ekip, në Bosnjë.

Ndihem i lumtur dhe i kënaqur, sepse jemi një grup shumë fantastik. Në rradhë të parë, jemi shokë, që kemi luajtur të gjithë në të njëjtat ekipe, edhe më përpara.

Për ftesën e Kombëtares, ndihem shumë i lumtur, sepse është një kënaqësi e madhe për çdo lojtar që të veshë fanellën e Kombëtares dhe shpresoj që të na shkojë mirë mua dhe dy shokëve të ekipit tim, që na kanë bërë këtë ftesë.

Synimi im personal dhe i shokëve të ekipit, është që në fillim të sezonit, që ne të dalim kampion Shqipërie me ekipin tonë, që besoj jemi ndër pretendentët kryesorë për ta fituar”,-mbylli prononcimin e tij, futbollisti i ekipit “Air Albania”, në kampionatin 5X5, Semir Gokaj, apo ndryshe i njohur si Caja.
Maringlen ZHIVANI