Monday, January 26, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPesë fitore rradhazi, Vllaznia është skuadra e momentit në Superiore

Pesë fitore rradhazi, Vllaznia është skuadra e momentit në Superiore

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia po përjeton një moment të artë në këtë fillim të vitit 2026, duke konfirmuar se është skuadra më në formë e Superiores. Kuqeblutë nga Shkodra kanë regjistruar katër fitore radhazi mes Kupës dhe Kampionatit në vitin kalendarik 2026, një ecuri që i ka ngjitur në majën e renditjes dhe ka rikthyer entuziazmin te tifozët shkodranë.

Kjo seri pozitive e rezultateve e ka shndërruar ekipin 9 herë kampion të vendit në skuadrën më konstante të momentit në elitën e futbollit shqiptar. Me paraqitje solide, pragmatike dhe një organizim të admirueshëm, ekipi ka ditur të menaxhojë çdo ndeshje me maturi, duke marrë maksimumin e pikëve dhe duke treguar ambicie të qarta për objektiva madhorë.

Nëse e zgjerojmë më tej analizën dhe përfshijmë edhe sfidën e fundit të vitit 2025, fitoren spektakolare 3-2 ndaj Flamurtarit, atëherë bilanci bëhet edhe më mbresëlënës. Plot pesë fitore radhazi në të gjitha kompeticionet, ku Vllaznia njeh vetëm një fjalë: fitore. Një seri që flet qartë për gjendjen psikologjike dhe sportive të skuadrës.

Viti 2026 ka nisur në mënyrë perfekte për shkodranët. Fillimisht ishte suksesi minimal 1-0 ndaj Pogradecit në Kupë, një ndeshje e menaxhuar me kujdes, që i hapi rrugën vazhdimësisë në këtë kompeticion. Më pas, në kampionat, Vllaznia tregoi se di të fitojë edhe ndeshje të vështira, duke mposhtur 1-0 Egnatian, në një duel taktik dhe me ritëm të lartë.

Fitorja 0-2 në transfertë ndaj Dinamos ishte një tjetër provë force, ku kuqeblutë dominuan jo vetëm rezultatin, por edhe lojën, duke dhënë sinjale të qarta për rivalët direkt. Ndërsa kulmi i kësaj ecurie erdhi me suksesin 1-0 ndaj Partizanit, një fitore me peshë të madhe specifike, që i dha Vllaznisë edhe kreun e Superiores.

Kjo seri fitoresh ka ardhur falë një harmonie të dukshme mes repartesh, disiplinës taktike dhe vendosmërisë për të mos lëshuar terren. Vllaznia nuk po shkëlqen vetëm për spektakël, por mbi të gjitha për efikasitet dhe mentalitet fitues, elementë kyç për një skuadër që synon titullin.
Me këtë formë dhe këtë ritëm, Vllaznia konfirmon se është një pretendente serioze për trofe këtë sezon. Shkodra beson, skuadra po përgjigjet në fushë dhe Superiorja tashmë ka një kryesuese që po vendos standarde të larta në garën për titull.

Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments