-Minuta e 18-të u shoqërua me frikë e ankth në “Loro Boriçi”. Një dyluftim ajror mes Herald Markut dhe Andi Hadrojit rrëzoi në tokë këtë të fundit. Përplasja në kokë i shkaktoi humbjen e vetëdijes mesfushorit dhe futi në panik të pranishmit. E megjithatë, pas ndërhyrjes së stafeve mjekësore e mblodhi veten.

Gjithsesi, meraku ishte dhe për pasojë e dërguan në spitalin rajonal të Shkodrës. Gjatë një bisede me “Panorama Sport”, ai shpjegoi se është më mirë dhe u kthye bashkë me ekipin në Ballsh. “Ishte një goditje e fortë e cila bëri që të bija në tokë. Humba vetëdijen dhe reagova vetëm kur pashë shokët dhe stafet mjekësore mbi kokë.

Ishte një situatë që edhe vetë nuk e mbaj mend mirë, por mbaj mend që kam pasur ndihmë në fushë, të gjithë përpiqeshin të më ndihmonin dhe më pas përfundova në spitalin e Shkodrës. Kam vetëm goditje dhe besoj se shumë shpejt do të jem me skuadrën”, rrëfeu numri 4 i Bylisit.

– Ideal Lekiqi e ndoqi ndeshjen me gazetarët, pas të kuqit që mori në kupë. E megjithatë, trajneri i portierëve nuk hezitoi që të jepte instruksione për lojtarët.

– Dedja dhe Osja nuk pushuan një sekondë, gjatë gjithë kohës kanë kërkuar impenjim nga lojtarët.

– Pas golit që iu anulua Bylisit, edhe presidenti Kapllanaj është habitur në tribunë. Ai dëgjohet teksa i thotë Goxhajt: “Pyete pak arbitrin pse e anuloi atë gol”.

– Eridon Qardaku i jep “shkelmin” Koronavirusit. Me të mbyllur karantinimin të dielën, ai dje u shfaq në fushë. Luajti si zëvendësues dhe shfaqi grintë, duke dëshmuar se është më në formë se kurrë.

Duke qenë shkodran dhe mbi të gjitha duke fituar një betejë kaq të madhe, as duartrokitjet e të pranishmeve nuk u kursyen. Madje, nuk ngurruan që të bënin edhe humor, ndërsa në një moment i kërkohet një lojtari të Vllaznisë. “Ndërhyni mor, se e kaloi ‘COVID’-in”.

– Majkëll Peçi u fut si zëvendësues me fanellën me numër 22 mbi shpinë, megjithatë në protokollin që iu shpërnda mediave kishte 9-ën.

– Shkodra mbetet një makth për Vllazninë. Ajo vazhdon të ngecë kur luan në shtëpi.