Rudi Vata mendon se futbolli shqiptar ka dhënë një tjetër imazh të shëmtuar së fundmi me ngjarjen e mostransmetimit të ndeshjes për shkak të konfliktit mes FSHF dhe DigitAlb.

Në “Rubrika Sportive” ai argumentoi se shteti duhej të kishte ndërhyrë për të evituar shfaqje të tilla ndërsa insistoi se edhe Shqipëria duhej të kishte ndjekur shembullin e shumë vendeve të vogla dhe të kishte mbyllur kampionatin gjatë pandemisë.

“Do të kisha pasur shumë dëshirë të flas për sportin në anën teknike, por është pjesë e rëndësishme e jetës të sportdashësve. Sigurisht ndodh në një vend që ka shumë probleme dhe na vjen keq që i përsëritim.

Mendoj se shteti duhej të kishte marrë masa që kjo situatë të mos ndodhte, njerëzit që kanë paguar për të pare ndeshjet, kanë të drejtën për t’iu servirur shërbimi për të cilin kanë paguar dhe nuk është serioze. Më vjen keq që ndodh në Shqipërinë tonë, është e trishtueshme dhe të lë shije të keqe.

Për vendet e vogla që prodhojnë pak para, me probleme sociale, do të ishte mirë të pezullohej kampionati. Mendoj që Shqipëria do të kishte bërë shumë më mirë që të ndëpriste kampionatin dhe klubet të mendonin një projekt më ndryshe në sezonin e ardhshëm.

Të shohim se si do të shkojë se ky është vetëm fillimi dhe të kemi sa më pak dëme. Shumë skuadra kanë probleme me kontratat e futbollistëve e trajnerëve, ka paqartësi e pasiguri, futbolli nuk është I bukur kur gjithë këto probleme ekzistojnë”, tha Vata./vipsporr/