Ndeshja Vllaznia – Kukësi që mbylli edhe vitin futbollstik dhe përfundoi në shifrat 1-1. Takimi i luajtur në “Loro Boriçi” kishte edhe “pikantet” e veta që “Shkodra Sport” i sjell për lexuesit e saj.

-I çuditshëm fakti se një nga titullarët e zakonshëm të Kukësit, Edison Ndreca nuk figuron në protokollin e ndeshjes. Mbrojtësi pritej në fushë ndërsa duket se ndonjë shqetësim shëndetësor e ka lënë jashtë takimit.

-Pritej një prani më e madhe tifozësh në takimin kundër Kukësit duke qenë se ishte edhe ndeshja që mbyllte vitin.

-Kristi Qarri debuton në kampionat si titullar për herë të parë me Vllazninë. Gardiani debuton para syve të tifozerisë shkodrane.

-Dyshja kuksiane, Edison Ndreca dhe Fluturim Domi preferojnë te ndjekin ndeshjen nga tribuna e gazetarëve.

-Ka një super shpërthim entuziasmi në “Loro Boriçi” në minutën e 8-të ku Vllaznia gjen golin me Latifin. I gjithë stadiumi në kor duke brohoritur “Vllazni,Vllazni”.

-Drejtori teknik i Kukësit, Pero Pejiç në një moment shndërrohet në “trajner”. Ku del nga pankina duke dhënë udhëzime për skuadrën e tij.

-Rast i pabesueshëm i shpërdoruar nga Djurdjevic i cili gjehet në zonë perfekt nga një kros i Hakajt. Megjithatë ka duartrokitje për sulmuesin.

-Stafi teknik i Vllaznisë “shpërthen” në një moment kundër Jorgjit. Arbitri elbanas sipad tyre gaboi në një faull në favor të kuqebluve.

-Ka të qeshura në stadium pasi në një moment, arbitrit Jorgji i ngatërrohen këmbët dhe rrëzohet në fushë.

-Një përqafim shumë i ngrohtë mes trajnerit të portierave të Vllaznisë, Ideal Lekiqi dhe portierit të ri Kristi Qarri në përfundim të 45 minutëshit të parë. Kjo për të vlerësuar paraqitjen e 21-vjeçarit, si edhe për t’i dhënë atij kurajon e duhur për pjesën e mbetur të ndeshjes.

-Brdariç dhe Longo gjithmonë aktivë dhe në këmbë duke dhënë këshilla për lojtarët e tyre.

-Stafi dhe lojtarët e stolit të Kukësit protestojnë fort tek anësori pas pretendojnë për penallti. Sipas tyre ka prekje me dorë nga Hakaj, por Jorgji nuk akordon asgjë.

-Duartrokitje për portierin Qarri që bën një pritje të bukur ndaj Dacit.

-Momente paniku pas një përplasje kokë më kokë mes Lulajt dhe Da Silvas. Mbrojtësi kuksian përfundon i fashur në kokë.

-“Shkëndija” mes Latifit dhe Hoxhajt. Vlonjati merr topin për të gjuajtur një goditje dënimi. Kapiteni Gurishta vendos rregull duke i lënë topin dhe gjuajtjen lojtarit nga Prishtina.

-Shkëmbim fjalësh dhe polemikash mes Adilit dhe De Lucas në momentin që ky i fundit po zëvendësohej. Lojtari nga Tetova e sugjeron të nxitojë daljen nga fusha.

-Mbrojtësi i Vllaznisë, Hakaj konfrontohet në distancë me Sh.Taipin. Pastaj polemika e tij kalon kundrejt portierit Tafas.

-Në fund ekipet ndahen në “paqe” me rezultatin 1-1 duke mbyllur kështu edhe vitin futbollistik. Ky ishte barazimi i dytë rradhazi për Vllazninë ndërsa për Kukësin rezultati i dytë pozitiv brenda dy javësh në “Loro Boriçi”.
Endri ÇINARI