Lajme të mira për Vllazninë. Biznesmeni Alban Xhaferi që aktualisht mban edhe postin e presidentit të basketbollit, ditën e djeshme ka zhvilluar të parin takim zyrtar me kryebashkiaken Ademi duke i shprehur dëshirën e tij për të marrë edhe drejtimin e klubit të futbollit Vllaznia.

Takimi mësohet të ketë zgjatur rreth dy orë dhe gjatë tij janë diskutuar shumë gjëra në lidhje me mënyrën e bashkëpunimit në mes palëve.

Ende nuk është shumë i qartë se si Xhaferi mund të vijë në krye të Vllaznisë, por e rëndësishme është që të dyja palët kanë dëshirë që ky bashkëpunim të realizohet.

Biznesmeni në fjalë prej një viti e gjysëm ka drejtuar basketbollin dhe e ka shndërruar tërësisht ekipin duke e shndërruar atë nga pretendent për të rënë nga kategoria në një pretendent për fitimin e trofeve.

Xhaferi i iniciuar edhe nga kërkesa e tifozëve, hodhi idenë për t’u afruar edhe tek futbolli dhe në fakt, kërkesa e tij drejt Bashkisë u shty disi nisur edhe nga bllokimi që ndodhi në Këshillin Bashkiak sa i takon buxhetit të këtij klubi.

Por pas zgjidhjes së këtij problemi, ai është vënë në lëvizje dhe për rrjedhojë takimi i djeshëm me kryebashkiaken Ademi tregon se gjërat mund të jenë në rrugën e duhur. Dhe në fakt, Vllaznia ka nevojë për një biznesmen të tillë në krye të saj. Të shpresojmë që gjërat të marrin zgjidhje sa më shpejt dhe sezonin e ardhshëm të shohim një skuadër tjetër në fushën e lojës.
www.shkodrasport.com