Rebelim i tifozëve prej VAR-it, arbitri që bëhet lëmsh me kartonët, si dhe Sabien Lilaj shumë nervoz. Vllaznia-Dinamo pati nga të gjitha në “Loro Boriçi”. Gazeta “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet.

* Para se të niste ndeshja, ekipet dhe gjyqtarët dolën në fushë me një pankartë për t’u solidarizuar me luftën në Ukrainë, teksa shkruhej: “Mos luftoni, luajmë futboll”.

Por, në tribuna pati një revoltë me pankarta për sistemin VAR, teksa tifozët shkodranë janë të zhgënjyer për mënyrën se si është trajtuar Vllaznia në javët e fundit nga teknologjia. Në banderola hiqej edhe paralele me luftën në Ukrainë. “Ndaloni luftën RusiUkrainë dhe VAR-in (FSHF-Vllazni)”.

* Për të parën herë reklamat elektronike janë bërë funksionale rreth fushës së stadiumit “Loro Boriçi”. Madje, në pjesën e parë dritat e saj kanë reflektuar shumë, por kjo është rikuperuar në pjesën e dytë.

* “Më shumë se pesë minuta për të marrë një vendim, çfarë është ky skandal!”, ka shfryrë trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç, tek arbitri i katërt pas vonesës së VAR-it për golin e anuluar të Ante Aralicës.

* Në minutën e 52-të të takimit kemi një acarim në stolin e Dinamos, që u kap me vëzhguesin Sokol Çekaj. Në këtë moment, arbitri Klodian Shahini ndali lojën dhe nxori nga xhepi një karton të verdhë dhe një të kuq. I verdhi mësohet se ishte për fizioterapistin e bluve, Indrit Skrela. Mirëpo, i kuqi u dha për magazinierin e skuadrës blu, Agim Shkora, i cili nuk figuron fare në protokollin zyrtar të ndeshjes. Një ngatërresë e arbitrit, që më pas u shoqërua edhe me ilaritet.

* Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, ishte në stol gjatë ndeshjes së djeshme, në një kohë që vjen pas një dëmtimi. Në minutën e 87-të, ai hodhi një top në fushë dhe arbitri e ndëshkoi me të verdhë. Kjo bëri që Gurishta të plotësonte numrin katër të tyre, teksa do të mungojë tashmë ndaj Kukësit. Duke qenë se dëmtimi i tij nuk ka kaluar plotësisht, duket se ky i verdhë vjen në momentin e duhur.

* Gjetje e trajnerit të Dinamos, Bledar Devolli, në minutat e fundit, teksa hedh mbrojtësin Aleksandar Sofranak në qendër të sulmit. Malazezi bën diferencën, pasi jo vetëm shënon golin që rihapi ndeshjen, por gjithashtu futet edhe në driblim gjatë sulmeve.

* Pas anulimit të golit të shënuar nga Aralica, nuk ka munguar as humori ndaj gjyqtarëve. “Për me na njoftë golin, duhet të shënosh që nga mesi i fushës me këta…”, ishte ironia e tifozëve kuqeblu.

* Shumë i nevrikosur del nga fusha në minutën e 56-të mesfushori i bluve, Sabjen Lilaj, duke goditur madje edhe një shishe uji në pistë.

* Lojtarët e Vllaznisë gjejnë një mënyrë origjinale për t’iu shmangur tifozëve që presin t’u marrin fanellat pas çdo takimi. Ata kanë zgjedhur dyert anësore të stadiumit, për të ikur pa u ndier, jo vetëm prej tifozëve, por edhe për t’iu shmangur gazetarëve.