Tirana dhe Partizani janë gati për derbin e kryeqytetit, që do të zhvillohet të shtunën (19:45) në “Air Albania”. Bardheblutë po kalojnë një formë fantastike dhe kryesojnë kampionatin me 8 pikë më shumë se Laçi.

Trajneri i 25 herë kampionëve të Shqipërisë, Orges Shehi analizoi përballjen me “Demat” e Mehmetit në prononcimin për mediat, duke vënë theksin te vazhdimësia e lojës dhe rezultatet pozitive.

“Koha nuk është shumë e mjaftueshme për të përgatitur ndeshjen, por nisemi në kushte të barabarta si ne dhe kundërshtari. Do të fokusohemi më shumë tek aspekti teorik këto ditë.

Mendoj se pavarësisht se çfarë lojtarësh afron në merkato, cilësia e Partizanit nuk ndryshon. Derbi është derbi, renditja nuk ka rëndësi. Është një ndeshje që do të vendoset nga episodet. Si të tillë do e vlerësojmë.

Ne jemi të kënaqur me atë që kemi dhënë. Duhet të jemi ata që kemi qenë në këtë periudhë. Të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, objektivat janë të qarta.