Pak tifozë në shkallët e “Loro Boriçit”, shumë mllef ndaj gjykimit për atë që ndodhi në ndeshjen ndaj Partizanit, por edhe batuta. “Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes së djeshme në Shkodër, ku zhgënjimi për humbjen ishte shumë i madh te vendësit, ndërsa krutanët shpërthyen në festë, qoftë në fushë dhe në dhomat e zhveshjes.
* Rreth 500 të pranishëm për të ndjekur ndeshjen Vllaznia-Kastrioti, duke vendosur një rekord negativ sa i përket interesimit për një përballje të vlefshme për Superioren këtë sezon në “Loro Boriçi”.
* “Stop luftës! Stop VAR-it”, ishte një prej banderolave në tribunën përballë, e vendosur nga tifozët e Vllaznisë, duke kujtuar golin e anuluar të Aralicës në mesjavën e kaluar ndaj Partizanit për Kupë.
* Pas vetëm 10 sekondash lojë, Silvio Zogaj i Kastriotit mbetet i dëmtuar në fushë pas përplasjes me Dianjen. Fillimisht u mendua për diçka serioze, por më pas lezhjani vazhdoi normalisht lojën.
* Kartoni i parë i verdhë nga arbitri Enea Jorgji u dha në minutën e 10-të ndaj lojtarit të Kastriotit, Eneid Kodra. Menjëherë pati batuta nga tifozët shkodranë për arbitrin: “Bravo Enea! Bravo Enea!”
* Më shumë shkodranë te Kastrioti se te Vllaznia iu dukeshin dje tifozëve shkodranë. Në fakt, nga minuta e parë te krutanët ishin tre lojtarë që kanë dalë nga kuqeblutë, pikërisht Edon Hasani, Abaz Karakaçi dhe Silvio Zogaj, ndërsa si titullar ishte edhe sulmuesi i dhënë në formë huazimi nga Vllaznia, Kaina Nunjesh.
* “Më shpejt, më shpejt! Çfarë bëni?”, ishte një nga britmat e trajnerit të Kastriotit, Emiljano Çela, kur lojtarët nuk pasonin si duhet.
* Që në minutën e 22-të, tifozët shkodranë kërkojnë që Liridon Latifi të mos jetë në fushën e lojës, duke parë gjendjen e lojtarit të krahut. Natyrisht, shkodranët presin shumë nga kosovari.
* Trajnerët Plori dhe Çela qëndrojnë thuajse gjatë gjithë kohës në këmbë, duke dhënë udhëzime për skuadrat e tyre. * Ekipi i Kastriotit vonon të zbresë në fushën e lojës në fillimin e pjesës së dytë.
* “Shikoni VAR-in, shikojeni”. Kjo ishte ironia e tifozërisë shkodrane pas golit të shënuar nga Aralica në minutën e 46-të. Edhe vetë sulmuesi kroat festoi përgjysmë, teksa është bërë me hije tashmë pas atij goli të anuluar në momentet e fundit ndaj Partizanit.
* Ka duartrokitje për Ardit Hoxhajn në momentin që zëvendësohet, por vlonjati largohet i revoltuar drejt dhomave të zhveshjes, duke mos e pritur mirë vendimin e Plorit.
* Një pjesë e tifozëve kuqeblu nuk kanë ngurruar të thërrasin emrin e Edon Hasanit në fundin e lojës. Nga ana tjetër, kanë ironizuar me drejtuesit e klubit. “Bravo presidenca, bravo”, ishin thirrjet e tyre.