Masat ekstreme për tribunën VIP, ndeshja që nisi me vonesë në të dyja pjesët e lojës, kontestime për lojtarë të veçantë, por edhe thumbime mes trajnerëve. Këto, por jo vetëm, prodhoi Vllaznia-Teuta, teksa nuk munguan detajet pikante. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha momentet që përtej mërzisë për barazimin në fushë, sollën humor jashtë saj.

* Edhe pse skuadrat ishin rreshtuar për të nisur ndeshjen dhe gjyqtarët ishin gati, arbitri Hamiti vërshëlleu për fillimin vetëm pas tri minutash nga orari i përcaktuar (18:00). Mirëpo, kulmi arriti pas pushimit mes pjesëve. Kësisoj, pjesa e dytë nisi me plot 6 minuta vonesë. Arsyeja ishte e njëjtë për të dyja rastet.

Delegati i FSHF-së, Besnik Çela, urdhëroi të largoheshin disa tifozë që ishin futur në stadium pa autorizim. Tribuna e gazetarëve, si gjithmonë më e populluara gjatë këtij sezoni, pasi aty “maskohen” tifozë. Forcat e rendit, pasi kanë pikasur diçka të tillë, kanë larguar disa nga të pranishmit që nuk e kanë pasur emrin në listat zyrtare të klubeve.

* Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, e ndoqi ndeshjen në krah të kryebashkiakes së Shkodrës, Voltana Ademi, si dhe sponsorit Alban Xhaferi, i cili ishte i shoqëruar edhe nga Alban Hasani, një ish-lojtar i të dyja ekipeve. Në tribunën VIP ra në sy edhe prania e ish-kapitenit kuqeblu, Ndriçim Shtubina, i cili kishte në krah mbrojtësin Abdurrahman Fangaj, që ende nuk ka debutuar këtë sezon me kuqeblutë.

* Sulmuesi Salim Cise dhe mesfushori Elom Nya-Vexhi kanë dhënë spektakël para nisjes së sfidës, duke bërë xhonglime me topin. Një gjë të tillë e kanë bërë edhe gjatë pushimit mes pjesëve, ndërsa vetëm Cise u preferua nga trajneri Brdariç për t’u hedhur në fushë.

* Nuk reshtin duke orientuar skuadrat gjatë gjithë takimit trajnerët Tomas Brdariç dhe Edi Martini. Gjermani i kërkon llogari arbitrit Hamiti në minutën e 29-të pas një sparkate të Todorovskit ndaj Da Silvës. Më parë, ndaj këtij të fundit Hamiti nuk kishte dhënë një faull afër zonës, ku Bregu i zuri rrugën. Kontestimet nga stoli shkodran ishin të shumta, ndërsa u ndëshkua me karton të verdhë afër fundit të lojës zv.trajneri Elvis Plori, pikërisht për protesta.

* Pas përfundimit të pjesës së parë, trajneri Brdariç takoi lojtarët pa u futur ende në dhomat e zhveshjes, madje si për të shkundur disi Isaevskin, e shtyn këtë të fundit në formë shakaje.

* Vërshëllima të atyre pak të pranishmëve në drejtim të Demir Imerit pas një mundësie të humbur në minutën e 57-të. “Nxirre jashtë, nxirre jashtë”, kanë kërkuar tifozët në drejtim të trajnerit Brdariç. Ky i fundit, si për ironi të situatës, ua plotësoi dëshirën tifozëve në minutën e 66-të, kur fantazisti i la vendin në fushë Jonuzit.

* Në minutën e 54-t, portieri i Vllaznisë, Bojan Zogoviç, i kërkon arbitrit të ndërrojë këpucët. Loja ndërpritet afro dy minuta. Ndërkohë, pati duartrokitje për brazilianin e Vllaznisë, Viktor da Silva, pasi la fushën e lojës në minutën e 85-të.

* Florent Avdyli i Teutës ndërrohet me Karabecin në pjesën e dytë, por nuk e pret mirë zëvendësimin, duke dalë i zhgënjyer nga fusha.