Fatmir Paçrami, një nga ish-futbollistët e Vllaznisë kampione dhe fitues i kupave me këtë skuadër në vitet ’80, është i mendimit se skuadra e sezonit të ri duhet të nisë menjëherë nga puna.

Sipas tij, pritshmëria për kuqeblutë është shumë e madhe. Paçrami ka bërë thirrje për ndërhyrje sa më të shpejtë, pasi skuadra duhet që të kishte të ruajtur minimalisht një bërthamë dhe bosht kryesor nga ata që përfunduan sezonin e fundit. Mirëpo, duke qenë se momentalisht janë vetëm katër lojtarë nën kontratë, situata është shumë e vështirë dhe se vetëm me financa të shëndosha, mund të bëhet një Vllazni e denjë.

Paçrami, si e shikoni situatën që është momentalisht te Vllaznia?

Normalisht, jo vetëm unë, por edhe të tjerë specialistë futbolli apo edhe tifozë e shikojnë të turbullt. Askush nuk di të thotë atë që do të ndodhë në të ardhmen. Në skuadër mësohet se janë vetëm katër lojtarë me kontrata dhe shumë futbollistë të rinj që i ka në dispozicion për të mbushur organikën, por kjo është shumë pak për Vllazninë.

Mendoni se ka ndikimin e vet edhe situata para zgjedhjeve lokale?

Natyrisht. Vllaznia do të rregullohet vetëm nëse bashkia e ndihmon me fonde, sepse pa sponsorë dhe pa financime, nuk ka si të shkojë përpara. Nuk mund të blihen lojtarë në kushtet ku ajo ndodhet aktualisht. Do të jetë tepër e vështirë për çdokënd që e drejton klubin. Janë shumë pak lojtarë që janë nën kontratë.

Sa do t’ia vështirësojë kjo gjë punën drejtuesve të klubit?

Kemi vetëm 4 lojtarë nën kontratë dhe kuptohet se skuadra duhet bërë nga e para. Duhet ndryshuar 70 për qind dhe prandaj duhet ndërhyrje e mbështetje sa më e shpejtë. Me kaq lojtarë, nuk mund të presësh asgjë. Po ashtu edhe lëvizjet e drejtuesve duhet që të jenë të shpejta në merkato dhe për më tepër, Vllaznisë për këtë sezon i duhen lojtarë cilësorë dhe me vlera. Këtë e shikoj të vështirë, por gjithsesi duhet pritur dhe besuar te drejtuesit e klubit.

Prisni një Vllazni ndryshe në fushën e lojës sezonin e ri?

Unë pres një Vllazni ndryshe, në radhë të parë për hatër të tifozëve shkodranë. Si bashkia apo sponsorët, duhet të bëjnë çmos ta ndihmojnë këtë ekip për të shkuar aty ku ka qenë në kohën tonë. Vllaznia nuk duhet të vuajë sërish siç ka vuajtur këto vitet e fundit. Shpresoj që Vllaznia këtë sezon të mos përpëlitet për t’u rrezikuar për rënie nga kategoria. Por puna që e pret përpara, sipas meje, është e madhe. Unë dua të shikoj ashtu siç edhe shokët e mi të vjetër e të rinj që kanë derdhur shumë djersë për këtë emër, ndryshime rrënjësore te Vllaznia e sezonit të ardhshëm. Pretendimet e saj duhet të jenë krejt të tjera nga këto të sezoneve të fundit.