Së fundmi në Shkodër është zhvilluar një turne çiklizmi dedikuar figurës së shquar të këtij sporti, Agim Tafili. Për këtë organizim ka folur edhe trajneri i Vllaznisë në çiklizëm, Leonat Kola. Ai thekson se aktivitete të tilla i kishin munguar Shkodrës, ku shprehet nostalgjik për kujtesën që i solli ky turne. Kola thekson se çiklizmi është një traditë e Shkodrës dhe se duhet të ketë mbështetje të vazhdueshme për këtë sport.

Kola tha: “Ishte një kupë e fundit e organizuar në nder të Agim Tafilit. Një figurë jo vetëm e çiklizmi, por edhe e sporti shqiptar për atë çfarë ka arritur në karrierën e tij. Mund të them se ishte një organizim perfekt, duke filluar nga mbështetja që shfaqi bashkia e Shkodrës me interesimin e veçante të Alban Nezirit dhe mbështetjen e kryetarit Bardh Spahia, bashkëpunimi me policinë për bllokimin e rrugëve e po ashtu ekipet që erdhën për të marrë pjesë në këtë kupë.

I kishte munguar Shkodrës një organizim i tillë prej disa kohësh dhe kjo nuk duhet të ndodhë. Pasi me të vërtetë u emocionova ditën e shtunë kur u zhvilluan garat. Pasi pashë njerëz në dy krahët e rrugës për të mbështetur sportistët. E mu kujtuan vitet e arta kur tifozët dyndeshin në rrugë për të shikuar garat dhe turet çiklistike. Çiklizmi është një sport i traditës në Shkodër sepse këtu ka lindur.

Ne po e riformatojmë ekipin sepse kemi pasur shumë largime. Qoftë drejt kryeqytetit apo edhe emigrimit ku janë larguar sportistë. Me të rinjtë që kemi, premtojmë shumë dhe këtë e tregojnë edhe rezultatet e fundit. Ku të rinjtë tanë arritën vendet e para dhe të dyta. Uroj që mbështetja nga organet drejtuese të vijojë edhe në të ardhmen.

Çiklizmi është një sport i kushtueshëm dhe patjetër duhet të ketë përkrahje. Jam i sigurtë që me pak dashamirësi ndaj kësaj displine, ne do jemi kampionë absolutë në vend”.
Endri ÇINARI