Financat problem, lojtarëve u kërkohet të paguajnë nga xhepi Financat mbeten problemi kryesor te Sopoti, ndonëse skuadrës rezultatet nuk i kanë munguar. Kulmi arriti në transfertën e fundit, që do e luanin me Valbonën.

Lojtarët janë lajmëruar vetëm një ditë para se të niseshin për Tropojë, se për arsye të pushimit të administratës, procedura e lëvrimit të fondit nuk është bërë. Në kësi kushtesh, lojtarët duhej ta paguanin transportin dhe hotelin nga xhepi, me premtimin se vetëm disa ditë më vonë do t’u ktheheshin paratë në llogaritë bankare.

Biseda zbulohet nga vetë lojtarët, pasi është bërë e gjitha në grupin që kanë në “WhatsApp” lojtarët dhe administratori Andi Çota. Pasi u është komunikuar ky njoftim, lojtarët janë përgjigjur se nuk kanë mundësi vetë të sigurojnë shumën financiare dhe se mirë do të ishte të gjendej një zgjidhje tjetër.

Në fund ngërçi u zgjidh prej dikujt tjetër. Duke bërë një sforco të madhe dhe pa e pasur detyrim, ka qenë drejtori teknik, Besnik Çota, që i ka hequr shpenzimet e transfertës në Tropojë.

Ndeshje që në fakt e humbën, duke përfunduar të katërtit në klasifikim. Tani do të luajnë në “play off” dhe rastësia bën që kundërshtar të kenë po Valbonën dhe sërish në fushë kundërshtare./panorama-sport/