Fluturon avioni i Lacios. Një “Shqiponjë” u ngjit dhe u ul mëngjesin e së premtes në aeroportin “Çampino”. Me stemën e klubit dhe vitin e themelimit të klubit, tashmë skuadra e Tares dhe Strakoshës do të ketë avionin e saj personal, duke bërë një tjetër hap të rëndësishëm në drejtimin ekonomik të klubit.
Skuadra bardhekaltër do të fluturojë me avionin e saj në transfertat brenda Italisë dhe Europës, një dhuratë që presidenti Klaudio Lotito e kishte menduar prej kohësh.
Mjeti i ri i transportit do të inaugurohet më 20 nëntor, në fluturimin e parë që do të bëjë drejt Krotones. Ditën e djeshme “Boeing 737/300 Classic” i kompanisë bullgare “Tayaranjet” bëri vetëm një fluturim kolaudimi në “Çampino”.
Por, për të lëshuar rrufenë në qiell të hapur mendon Luis Alberto, i cili e ka komentuar me ironi shpenzimin më të fundit të klubit gjatë një ndeshje direkte në FIFA në “Twitch”:
“E pash avionin, shumë bukur… Kaq shumë para të shpenzuara. Në fakt, për ne dhe skuadrën nuk ka asgjë”.