Në vend që të përqendrohen tek ndeshja e rradhës, futbollistët e Veleçikut mësohet se kanë ndërmarrë një veprim tjetër. Ata kanë bojkotuar stërvitjen në shenjë revolte për mungesën e rrogave nga Bashkia e Malësisë së Madhe.
Siç dihet, kjo skuadër prej vitesh financohet me fondet e këtij institucioni, por duket se muajt e fundit gjërat janë përkeqësuar dhe si rrjedhojë, lojtarët prej disa muajsh nuk i kanë marrë pagesat e tyre.
Nisur nga kjo, ato kanë vendosur që të mos dalin në stërvitje, si shenjë paralajmërimi për krerët ee pushtetit lokal dhe nëse kjo situatë do të vazhdojë, atëherë nuk përjashtohet mundësia që Veleçiku të shkrihet plotësisht.
Ajo që bie në sy është mungesa e dëshirës së krerëve të Bashkisë për të nisur procesin e shitjes së Klubit të Futbollit Veleçiku ngaqë kjo kërkohet edhe me ligj, për të bërë atë që kanë bërë thuajse të gjitha Bashkitë e tjera.
Dhe në këto rrethana, kur financat e Bashkisë Malësi e Madhe për futbollistët e Veleçikut mungojnë, ende nuk është e qartë se si do të jetë vazhdimi i kësaj historie e cila ka ardhur duke u përkeqësuar dhe institucioni i pushtetit lokal jo vetëm që nuk ka financuar në infrastrukturë ashtu siç kishte premtuar, por tashmë nuk po u jep as rrogat.(www.shkodrasport.com)