Vllaznia do të duhet të bëjë pa një futbollist të formacionit në ndeshjen e nesërme ndaj Bylisit. Kështu, Darko Bulatoviç u ndëshkua me karton të verdhë në ndeshjen e ditës së enjte ndaj Laçit në minutën e 74-të, pas një faulli brenda zonës.

Mbrojtësi ishte në kuotën e tre kartonëve të verdhë dhe ky në ndeshjen ndaj Laçit ishte i katërti, ç’ka përkthehet me mungesë ndaj Bylisit, ditën e nesërme në stadiumin “Adush Muça” në orën 16:00. Ashtu si ndaj Laçit, edhe kjo ndaj Bylisit është sfidë vendimtare dhe është shansi i fundit për të arritur Europën.

Padyshim që, mungesa e Bulatoviç do të shkaktojë një hendek në mbrojtje. Megjithatë, alternativat për Sedloskin nuk mungojnë, pasi në stol është Dajan Shehi, teksa edhe Lorik Boshnjaku ka treguar se mund të luajë në këtë rol dhe ta bëjë shumë mirë.

Në fakt, Bulatoviç nuk kishte munguar asnjëherë në sfidat e këtij sezoni të Abissnet Superiore për arsye kartonësh, teksa kjo do të jetë e para. Ndërkohë, në ndeshjen e nesërme ndaj Bylisit, si pasojë e ndëshkimit me karton të verdhë, do të mungojë edhe trajneri i portierëve të Vllaznisë, Ideal Lekiqi.
Maringlen ZHIVANI