Ylli i Arsenalit, Folarin Balogun, po kërkohet nga Milani pas sezonit të tij të jashtëzakonshëm, ndërsa është i huazuar në Francë. 21-vjeçari është golashënuesi i dytë më i mirë i Ligë 1 deri më tani, këtë sezon, me 15 gola për ekipin Reims, pas Kilië Mbapesë.

Forma e tij ka tërhequr vëmendjen e një sërë klubesh. Milani ka qenë i interesuar edhe më parë për sulmuesin e lindur në Nju Jork, në të kaluarën, kur ai ishte në ekipin e të rinjve të Arsenalit dhe bëmat e tij në nivel të lartë vetëm kanë konfirmuar kredencialet e tij për skuadrën italiane.

Rivalët francezë të Reims, Marseja dhe spanjollët e Vijarrealit po monitorojnë gjithashtu Balogunin, i cili ka edhe dy vite kontratë me “Topçinjtë”.

Për ta blerë nevojiten të paktën 20 milionë euro, por nëse vazhdon me këto ritme vështirë që çmimi i tij të mos pësojë rritje të mëtejshme.