E kemi thënë shpesh se futbollistët shkodranë janë të shpërndarë në mbarë Europën. E madje janë protagonistë në ekipet ku aktivizohen duke spikatur me cilësitë e tyre. Një prej tyre është edhe Elsamed Ramaj. Për shumë kënd i panjohur në Shkodër, por po kalon një formë fantastike në Gjermani.

Futbollisti është rritur tek akademia Vllaznia, ku ka luajtur deri në moshën 15-vjeçare. Pastaj për të emigruar drejt Gjermanisë, ku ka luajtur gjithë karrierën e tij si profesionist deri më tani. Aktualisht ai është pjesë e skuadrës Alemannia Aachen, ku Ramaj është një nga futbollistët kryesorë të ekipit, madje duke u shndërruar në një golashënues.

26-vjeçari që aktivizohet zakonisht në linjën e majtë të mesfushës, por edhe mbrojtjes ka shënuar deri më tani 6 gola në kampionat. Një shifër e konsiderueshme në 12 javë aktivitet, për një futbollist që nuk aktivizohet në vijën e parë të sulmit. Golat e mëngjërashit e kanë ndihmuar shumë skuadrën e Aachen.

Që tashmë ndodhet në vendin e 4-ët me 21 pikë, 5 më pak se vendi i parë i mbajtur nga Rodinghausen. Por me një ndeshje më tepër për të luajtur. Duket se Ramaj do jetë një nga protagonistët e kësaj skuadre, që do tentojë deri në fund ngjitjen në një kategori më lart se ajo aktuale.
Endri ÇINARI