Erzeni do jetë vizitor në Shkodër në javën e 10-të të Superiores. Raund që nis edhe fazën e dytë të kampionatit dhe ku Vllaznia do kërkojë me patjetër fitoren, kjo duke qenë edhe përballë tifozëve të saj. Por dueli ndaj shijakasve s’do jetë aspak i lehtë.

Një skuadër që mendohej si një “arkë pikësh” nga ekipet e tjera të Superiores, ka qëlluar një “surprizë e hidhur” për të gjthë. Erzeni është cilësuar këtë edicion si “vrasësi” i të mëdhenjëve. Kjo pas fitores kundër Vllaznisë në fillimin e kampionatit me shifrat 1-0. Po ashtu erdhi edhe një sukses 0-1 kundër Partizanit.

Të gjithë menduan se kaq do ishte ecuria e ekipit të ardhur nga Kategoria e Parë, por nuk do ishte kështu. Pasi fitoret kundër Laçit 1-0 dhe Tiranës 0-1 së fundmi konfirmojnë se kjo skuadër luan futboll dhe është e rrezikshme. Po ashtu Erzeni ka marrë edhe tre barazime në shifrat 0-0 kundër Egnatias, Teutës dhe Kastriotit.

Të vetmet skuadra që i kanë shënuar janë: Bylis në humbjen 4-1 të shijakasve dhe Kukësi po ashtu në fitoren përballë Erzenit në shifrat 0-2.

Një skuadër që ka treguar një stabilitet të madh në fazën e parë, duke çuditur shumë kënd dhe që të shtunën do vijë në Shkodër për të surprizuar sërish në Superioren e këtij edicioni.
Endri ÇINARI