Vllaznia e femrave është mposhtur me goleadë, pikërisht me rezultatin e thellë 8-0, në ndeshjen e dytë të grupit të UEFA Women Champions League në transfertën në Londër përballë Çelsit.

Atmosfera në stadium ishte mjaft entuziaste, falë një numri të madh tifozësh shqiptarë dhe shkodranë që mbushën shkallët e “Kingsmeadow” të Londrës në mbështetje të ekipit të femrave të Vllaznisë.

Ndërkohë, mes të pranishmëve, ka spikatur edhe një tifoz special që ka udhëtuar nga Shkodra, enkas për të ndjekur nga afër këtë ndeshje të Vllaznisë. Më konkretisht, bëhet fjalë për presidentin e Juban Danjës, Ferdinand Jakun, i cili është edhe themeluesi i ekipit të parë të futbollit të femrave në Shqipëri.

Ai ka udhëtuar drejt Londrës për të ndjekur nga afër këtë ndeshje të Vllaznisë në futboll për femra dhe padyshim që, ndihet krenar dhe i lumtur njëkohësisht që një iniciativë e nisur prej tij në fshatin Juban të Shkodrës, ka arritur deri në këto nivele të larta të futbollit europian.
Maringlen ZHIVANI