Një ndeshje bamirësie për Klevis Gjelucin ishte aktiviteti që Shoqata Rajonale e Futbollit në Shkodër dhe Shkodra Sport Event organizoi në fundjavë në nderim dhe në rrespekt të të riut shkodran, i cili ndodhet në gjendje kome pas një aksidenti automobilistik. Gjeluci njihet në Shkodër si një ish-futbollist i Akademisë Vllaznia, por edhe si një tifoz i spikatur i ekipit kuqeblu.

Jetmir Podgorica, drejtues i “Shkodra Sport Event”, ishte promotori i këtij aktiviteti që padyshim ishte emocionues për të gjithë të pranishmit. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, Podgorica u shpreh se qëllimi kryesor ishte mbledhja e fondeve për të ndihmuar në shërimin e Klevisit, ndërsa theksoi se gjendja e djaloshit shkodran është drejt përmirësimit.

“Natyrisht, ishte emocion dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për jetën e një njeriu. Emocionet janë më të mëdha kur bëhet fjlaë për jetën e një djaloshi të ri të qytetit të Shkodrës, një ish-sportisti dhe një tifozi të zjarrtë të Vllaznisë.

Në fakt, miqtë nga Kosova nuk i kanë munguar asnjëherë qytetit të Shkodrës. Ekipi i veteranëve të KFV Republika e Prizrenit na nderoi me pjesëmarrjen e tij. Në Prizren janë gjashtë ekipe futbolli të veteranëve, ndërsa në Shkodër pretendojmë që këtë sezon të krijojmë edhe ne një ekip futbolli të veteranëve. Në këtë takim, ne u paraqitëm me veteranët e futbollit, të cilët janë trajnerë në Ligën Amatore të Shkodrës.

Qëllimi kryesor ishte mbledhja e fondeve për të ndihmuar në shërimin e Klevisit dhe falë bujarisë së pjesëmarrësve u arrit qëllimi. Në fund të takimit, pjesëmarrësit firmosën një top futbolli, që i është dorëzuar familjes së Klevisit. Ky top është simbol i dashamirësisë së njerëzve të sportit ndaj tij.

Gjendja e Klevisit? Me familjen e Klevisit kemi një komunikim të përditshëm dhe gjendja e tij mund të themi që është drejt përmirësimit. Ai ndodhet në Itali, në një nga spitalet më të mirë në botë për problemin shëndetësor që Klevisi ka. Tashmë që, familja arriti të siguronte shumën monetare të nevojshme, mbetet që ne të lutemi sa më shumë për shërimin e tij.

Shpresojmë që mos të kemi më raste të tilla, por ne jemi të gatshëm gjithmonë të ndihmojmë në organizime të tilla. Në fakt, krahas organizimeve që ne zhvillojmë kryesisht me moshat e vogla, ne zhvillojmë organizime edhe për njerëzit e sportit, të cilët mund të jenë lënë pak në harresë.

Ne përpiqemi që të sjellim për të rinjtë e qytetit tonë shembuj nga brezat e kaluar se si duhet të jetë një sportist dhe një qytetar model. Në fund të kësaj interviste, dua të shtoj që dëshirojmë me zemër që Klevisi të shërohet sa më shpejt dhe të jetë pranë njerëzve të tij të dashur”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, presidenti i “Shkodra Sport Event”, Jetmir Podgorica.
Maringlen ZHIVANI