Kastrioti dhe Apolonia u renditën në vend të parë në grupet A dhe B të Kategorisë së Parë dhe vitin tjetër do të garojnë në Superiore, ndërsa sot u zhvilluan ndeshjet e fundit të fazës “play-off”. Në grupin A luhej Korabi-Besëlidhja.

Vendasit ia dolën të gjenin golin e avantazhit në minutën e 13-të me anë të Skukës. Gjithsesi, Përgjoni realizoi një gol shumë të rëndësishëm për Besëlidhjen në minutën e 72-të, duke mbajtur gjallë shpresat e ekipit lezhjan për t’u ngjitur në elitë.

Barazimi mban miqtë në vend të dytë me 39 pikë, ndërsa ekipi dibran e mbyll si forcë e tretë me tre pikë më pak. Në ndeshjen tjetër, Kastrioti kryesues fitoi 3-2 në shtëpi kundër Erzenit.

Kundërshtari i Besëlidhjes në “finalen” e parakohshme do të jetë Pogradeci, teksa fituesi i këtij çifti do të përballet me vendin e tetë në Superiore për finalen e madhe. Liqenorët pritën Lushnjen në stadiumin e tyre dhe nuk kishin alternativa përveç fitores.

Ashtu ndodhi, Pogradeci iu fal golit të shpejtë të Miklovan në minutën e 16-të, ia doli të menaxhonte deri në fund këtë avantazh, parakaloi Lushnjen dhe do të luajë gjithçka kundër Besëlidhjes. Skuadra fituese e ketij çifti do te ndeshet pastaj ne “play-out” ndaj Vllaznise, Bylisit, por pse jo edhe Partizanit, ne ndeshjen qe do te vendose se kush do te jete ne Superlige sezonin e ardhshem.