Pogradeci i Samuel Nikajt ka marrë një fitore me shumë vlerë në ndeshjen e luajtur pasditën e sotme në shtëpinë e vet ndaj Butrintit pretendent me rezultatin 1-0.
Takimi i sotshëm ka qenë shumë i rëndësishëm, sepse luanin dy ekipe pretendente dhe padyshim që, të dy ato e donin me çdo kusht fitoren.
Kjo do të thotë se ndeshja ka qenë e shoqëruar edhe me tension, teksa si rrjedhojë, në pjesën e parë, Butrinti mbeti me 10-futbollistë, pasi një lojtar i këtij ekipi u largua me karton të kuq.
Për Pogradecin shënoi në fundin e ndeshjes Demaj, duke i dhënë fitoren ekipit të tij. Kështu, skuadra pogradecare arrin të marrë një fitore me shumë vlerë, me të cilën ndodhet për momentin në vendin e dytë të renditjes me 13-pikë, aq sa rivalja e saj, Luftëtari që ndodhet në të njëjtën kuotë pikësh, por për golavarazh mban vendin e parë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri shkodran Samuel Nikaj ka synim ngjitjen në Kategorinë e Parë dhe deri tani po bën shumë mirë, teksa në pesë ndeshjet e luajtura, ende nuk e njeh shijen e humbjes, ku ka arritur katër fitore dhe vetëm një barazim.