Ashtu siç kishin premtuar, drejtuesit e shoqatës së basketbollit të Vllaznisë kanë bërë realitet një tjetër blerje. Bëhet fjalë për një tjetër amerikan. Lojtari I ardhur së fundi është Seth Jackson, një lojtar me cilësi shumë të mira dhe që luan në pozionet 1 dhe 2. Ai tashmë ka firmosur me Vllazninë dhe në ditët e para të janarit do t’I bashkohet ekipit në stërvitje. Në këtë mënyrë, me ardhjen edhe të këtij basketbollisti, shkon në dy numri I amerikanëve tek skuadra shkodrane por presidenti Dibra duket se nuk do të ndalet këtu sepse në janar pritet edhe një tjetër. Sa I takon blerjes së fundit, Jackson mësohet se së fundi ka qenë pjesë e ekipit “Balkan” në Bullgari ndërsa më përpara ka luajtur në Amerikë me Truman State.

Është 23 vjeç, 1.91 metra I gjatë dhe natyrisht që luajtja e tij në pozicionet 1 dhe 2, I përshtatet shumë ekipit shkodran që kishte nevojë për një lojtar të tillë. Tashmë mbetet për t’u parë edhe se kush do jenë dy lojtarët e tjerë që presidenti Dibra ka premtuar të sjellë në skuadër dhe me të cilët do të mbyllet merkatoja e këtij ekipi që do të kërkojë me ngulm titullin e katërt kampion rradhazi. Marrja edhe e Xhekson sigurisht që e shton edhe më shumë forcën e Vllaznia. Trajneri Gjeçaj tashmë ka më shumë alternative në dispozicion dhe gjysma e dytë e kampionatit pritet me shumë interes. Tirana vazhdon të forcohet me lojtarë cilësorë dhe po ashtu edhe Teuta mendohet të hyjë sërish në garë për të marrë lojtarë të huaj. Në një aspekt të tillë, tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë ekipi që do të tregohet më I fortë ndaj kundërshtarëve për të merituar titullin kampion të këtij sezoni.

© shkodrasport.com