Debuton me Vllaznia U19 vetëm 16-vjeç dhe për më tepër zhvillon paraqitje të mira. Shkodrani Aron Jukaj e ka parë veten në portë në ndeshjet e fundit delikate ndaj Lushnjës, Tiranës dhe Partizanit.

Të jesh titullar me ekipin ku luan mund të jetë një synim për çdo lojtar, ndërsa kur e arrin atë që në moshën 16-vjeçare, duke luajtur me U19, është fryt i një pune të madhe.

Një emocion të madh ka ndjerë edhe Jukaj, 16-vjeçari që prej disa ndeshjes po mbron edhe portën e Vllaznia U-19. Jukaj duket se ka një lloj pjekurie, që në këtë moshë dhe në një intervistë për “Shkodra Sport” tregon emocionet e ndeshjeve të para dhe portierin që e frymëzon.

“Po, secila eksperiencë me ekipet e kaluara, më ka bërë të arrij ku jam sot. Ndihem shumë i kënaqur dhe jam shumë falënderues për të gjithë trajnerët, që më besuan në skuadrën e tyre.

Te U19 më kanë bërë të ndihem shumë mirë, sepse edhe i njihja nga jashtë pak a shumë dhe e kisha më të lehtë të përshtatesha me ato në grup.

Kam pasur shumë inkurajim nga skuadra e U19, pavarësisht se U17 më donte akoma në skuadër, sepse kishim krijuar shumë shoqëri të mirë.

I studioj shumë pritjet e mia dhe sa herë i shikoj, i them vetes, që mundem më mirë dhe i jap më kurajo vetes, që të punoj më shumë për të arritur më mirë qëllimin që kam.

Idhull mund të themi se kam talentin që ka Gjermania, Neuer, por nuk mund ta imitoj asnjëherë, sepse secili ka veçantinë e tij në fushë, por qëllimi është të arrij atë, që ka arritur ai në fushën e futbollit.

Jam shumë falënderues ndaj profesor Ali Shpuzës, trajnerit të portierëve të Akademisë Vllaznia, për këto dy vite me arritjet që pata”,-mbylli prononcimin e tij, portieri i Akademisë Vllaznia, Aron Jukaj.
Maringlen ZHIVANI