Një nga talentët e Kategorisë Superiore është edhe portieri i Vllaznisë, Alen Sherri. Gardiani shprehet i lumtur për faktin se tashmë është kthyer të stërvitet me shokët.

Ndër të tjera, në një prononcim për “Fan Zone”, Sherri thekson se kontrata e tij me kuqeblutë përfundon këtë sezon, mirëpo për të ardhmen ende nuk ka marrë një vendim duke qenë se kërkon të mendohet mirë pasi e sheh si një moment kyç për vazhdimësinë e karrierës.

“Ka qenë një moment reflektimi për mua. Jam stërvitur gjatë kësaj kohe pasi jemi profesionist. Pushimi duhej për pak kohë, por kjo zgjati më shumë nga se e kishim menduar. Sot ishte një ditë e gëzuar për të gjithë pasi bëmë stërvitjen e parë me skuadrën. Roli I portierit kërkon shumë besim dhe dihet që është një rol më I vështirë.

Çdo portier ka momente që gabon dhe gabimi është I pranishëm me portierin. Sezonin nuk do e konsideroja si të keq, përveç disa gabimeve. Kam nxjerrë mësimet e mia dhe nuk jam demoralizuar që jam ulur në stol. Është një vendim i klubit dhe të gjithë ulen në stol”.

E ardhmja? “Jam shumë I përqendruar te Vllaznia për këtë sezon. Kontrata ime mbaron në fund të sezonit dhe nuk e kam menduar se çfarë do të bëj. Do të marr kohë pasi është një moment kyç në karrierën time dhe nuk kam një pikënisje as për Shqipëri as për jashtë. I kam borxh Vllaznisë dhe do të bisedoj me klubin e pastaj do të shikoj edhe interesat e mia personale”, u shpreh Sherri. /VipSport/