Pano Qirko është portieri titullar i Bylisit të këtij sezoni. Pas eksperiencës te Tirana, ku nuk pati hapësirë sezonin e kaluar, shtatlarti i formuar si futbollist në Vlorë, kërkon që këtë sezon të afirmohet plotësisht në Superiore, duke marrë minutat e duhura me fanellën e ballshiotëve.

Në një prononcim për “Panorama Sport”, 21-vjeçari flet për startin e kampionatit dhe paraqitjen e deritanishme të skuadrës. “Më vjen mirë që unë dhe mbrojtja jemi shfaqur në lartësinë e detyrës. Jemi përshtatur shumë mirë sepse e kemi treguar edhe me ekipet si Tirana dhe Teuta, që nuk kemi pësuar gol.

E kam ndier shumë mungesën e aktivizimit, sepse vija nga një eksperiencë me Tiranën ku më munguan minutat. Jam portier i ri, por në Ballsh gjërat kanë ndryshuar për mirë. Më është dhënë dora, po luaj me skuadrën e parë dhe gjithashtu U-21. Kam fituar besimin e munguar, kështu që kam për të shfaqur më mirë aftësitë e mia”,- deklaroi fillimisht Qirko.

SYNIMET – “Ne kemi një ekip ku dominon mosha e re dhe ka lojtarë mjaft të talentuar, por edhe me eksperiencë. Kemi treguar se bëjmë lojë shumë të mirë ndaj çdo skuadre. Luajmë njësoj, si në shtëpi dhe jashtë fushe.

Na ka munguar pak fati sepse i jemi afruar shumë golit, me raste pa fund dhe penallti të humbura, kështu që unë kam besim se këtë javë do të thyhet tersi në Shkodër. Jam i bindur se edhe sulmuesit do të zhbllokohen”, është shprehur më tej portieri titullar i Bylisit.

Ndërkohë, Qirko synon që falë performancës së mirë me Bylisin, të grumbullohet nga Kombëtarja U-21: “Normalisht që çdo lojtar e ka kënaqësi, por edhe privilegj të përfaqësojë vendin e tij. Unë kam qenë më të gjitha ekipet Kombëtare të moshave. Në saj të performancës së mirë me Bylisin, shpresoj që të thirrem sërish nga trajneri i U-21”.

STËRVITJA – Ballshiotët kanë nisur që të mendojnë për ndeshjen e së shtunës ndaj Vllaznisë. Në Shkodër Bylisi ka bërë gjithnjë ndeshje të mira, por këtë sezon një hall më vete është fakti që skuadra po vuan në fazën sulmuese. Sytë janë nga nigeriani Kudus Laval, i cili në dy takimet e fundit ndaj Tiranës dhe Teutës, iu afrua disa herë golit.