Vllaznia do të luajë edhe një përballje para finales së titullit kampion ndaj Bylisit. Në kampin shkodran duket se gjërat po shkojnë në vend për sa u përket lojtarëve të dëmtuar. Tekniku Canaj ka pasur të gjithë luksin që të lërë në stol disa nga titullarët duke përdorur rrotacion në skuadër.

Një gjë e tillë ka ndihmuar jo pak edhe vetë lojtarët për të pushuar, por edhe për t’u rikuperuar. Megjithatë, i vetmi shqetësim që ka tekniku është nëse do të jetë i gatshëm për përballjen finale të kampionatit portieri i parë Alen Sherri apo jo. Ai ka qenë një nga pikat më të forta të skuadrës. Vetëm 8 gola të pësuar në këtë kampionat tregojnë se të qenurit e tij në këtë takim është një domosdoshmëri për ekipin.

“Besoj se deri në këtë mesjavë do të jem i gatshëm për të filluar nga stërvitja. Më kanë thënë se do të heq allçinë dhe do të filloj që të aktivizoj këmbën e dëmtuar. Më duhen edhe disa ditë që të marr veten, pasi kam qenë në një pushim absolut. Gjithsesi, kam folur edhe me mjekun dhe drejtuesit dhe me shumë gjasa do të jem i gatshëm në takimin final.

Për mua është momenti që të kontribuoj sërish për ekipin për t’i dhënë këtë trofe për më tepër prestigjioz. Ne kemi treguar se jemi skuadra më e mirë në këtë kategori. Këtë e shikoj jo vetëm me atë që kemi treguar me ekipet që kishim në grup, por nisur nga statistikat, ne jemi skuadra më e mirë në këtë kampionat”, tha Sherri.