Portieri Stivi Frashëri, ka shkëputur bashkëpunimin e tij me Ballkanin pasi nuk ka arritur të gjejë akordin për rinovimin e kontratës.

Largimi i tij ishte një befasi e madhe duke ditur se ai ishte njëra nga pikat kyçe të skuadrës së trajnerit Ilir Daja, që ia doli nga mbrojë titullin e kampionit të Kosovës.

Pak orë pas largimit, Frashëri ka folur për KosovaPress ku ka zbuluar edhe shkaqet që çuan deri te largimi i tij nga Ballkani.

Ai ka thënë se fajtori kryesor për këtë largim ishte trajneri Ilir Daja, i cili ka kundërshtuar marrëveshjen që tashmë portieri e kishe arritur me drejtorin sportiv, Nderim Nexhipi, për vazhdimin e kontratës.

“Për t’u habitur është fakti që pas disa bisedave gjetëm gjuhën e përbashkët në të gjitha pikat financiare për kontratën e re, por problemi i vetëm ka qenë sepse çuditërisht dhe pa asnjë shpjegim trajneri ka vendosur mos pëlqimin e tij në këtë marrëveshje dhe normalisht, edhe pse nuk është hera e parë që ndodh kjo, unë si profesionist vendosa të largohem dhe uroj që klubi të ketë suksese sa më të mëdha. Pra nëse gjetëm gjuhën në të gjitha drejtimet, arsyeja se pse dështoi edhe për mua është e panjohur.”, ka thënë Frashëri.

Ai ka zbuluar se ka oferta nga klube të tjera të Superligës së Kosovës si dhe klube evropiane, por që të ardhmen do ta vendosë pas një kohe të shkurtër të pushimeve.

Para se të kalonte te Ballkani në vitin 2021, Stivi Frashëri kishte luajtur për skuadra të njohura në Shqipëri, si Tirana, Teuta dhe Flamurtari.