Friday, May 15, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREPrapavija, garancia e Vllaznisë para ndeshjeve të 'Final 4'

Prapavija, garancia e Vllaznisë para ndeshjeve të ‘Final 4’

Shkruar nga Endri ÇINARI

Në prag të sfidave vendimtare të “Final 4”, një nga armët më të forta të Vllaznisë mbetet padyshim mbrojtja. Ekipi shkodran ka treguar gjatë gjithë sezonit një stabilitet të admirueshëm në prapavijë, duke u shndërruar në skuadrën me mbrojtjen më të mirë të kampionatit. Pikërisht ky repart pritet të jetë garancia më e madhe e kuqebluve në rrugën drejt objektivit sezonal.

Statistikat flasin qartë për punën e bërë nga skuadra e nga Edi Martini. Në 36 javë kampionat, Vllaznia ka pësuar vetëm 27 gola, duke lënë pas edhe rivalët direktë. Dinamo, që renditet menjëherë pas shkodranëve në këtë aspekt, ka pësuar 33 gola, çka tregon diferencën dhe vazhdimësinë që kuqeblutë kanë pasur në repartin difensiv.

Një meritë e madhe për këtë ecuri i takon trajnerit Martini, i cili gjatë gjithë sezonit ka kërkuar ekuilibër dhe disiplinë taktike nga skuadra e tij. Tekniku shkodran është treguar shpesh “fanatik” për mbajtjen e portës së paprekur, duke e ndërtuar lojën fillimisht nga siguria në mbrojtje. Në ndeshje me peshë, kjo filozofi mund të rezultojë vendimtare për suksesin e ekipit.

Edhe gjendja e organikës i jep më shumë qetësi stafit teknik. E gjithë mbrojtja është në dispozicion të Martinit për sfidat e “Final 4”, me lojtarë si Erdenis Gurishta, Pusi, Bajrami, Gjini dhe Çelikoviç të gatshëm për të dhënë kontributin e tyre. Alternativat dhe konkurrenca në këtë repart kanë qenë një tjetër pikë e fortë e skuadrës gjatë sezonit.

Siguri ka dhënë edhe porta, aty ku Pohls ka zhvilluar një sezon pozitiv me fanellën kuqeblu. Portieri ka qenë vendimtar në disa ndeshje, duke ruajtur qetësinë dhe stabilitetin mes shtyllave. Paraqitjet e tij kanë ndikuar drejtpërdrejt që Vllaznia të ketë mbrojtjen më solide të kampionatit.

Në momentin më të rëndësishëm të sezonit, duket se gjithçka nis nga prapa për Vllazninë. Me një repart difensiv të konsoliduar dhe me grupin të plotë në dispozicion, shkodranët hyjnë në “Final 4” me një nga garancitë më të forta për të synuar suksesin.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments