Mirel Josa nuk do të largohet nga drejtimi i Vllaznisë. Kështu, gjatë dy ditëve të fundit kanë qarkulluar disa fjalë dhe thashetheme për një dorëheqje të tij nga drejtimi i Vllaznisë, por duket se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Në fakt, sipas “RTSH Shkodra”, Josa do të vazhdojë të jetë në krye të skuadrës kuqeblu, së bashku me ndihmësit e tij, Vioresin Sinani dhe Ideal Lekiqi, përfshirë edhe drejtorin sportiv Auron Miloti. Ditën e djeshme, stafi teknik me në krye trajnerin Josa kanë pasur një takim të zgjeruar me presidentin e Vllaznisë, Alban Xhaferi, ku është diskutuar për ecurinë e skuadrës në vazhdimësi.

Nga sa raporton “RTSH Shkodra”, pas analizës që i është bërë pjesës së parë të sezonit, Xhaferi ka pasur rezervat e tij për disa ndeshje jo të mira, ku janë lënë pikë të rëndësishme për skuadrën. Tashmë, ai ka kërkuar garanci nga stafi teknik dhe trajneri Josa që me rifillimin e kampionatit, Vllaznia të rikthehet fuqishëm për marrjen e rezultateve pozitive.

Kështu, Xhaferi ka konfirmuar trajnerin Josa në krye të skuadrës, duke hedhur poshtë zërat për një largim të mundshëm të tij, teksa ka kërkuar garanci për realizimin e objektivave të fillim-sezonit për fitimin e trofeve.

Tashmë, në këtë mes çdo gjë merr fund rreth thashethemeve të fundit, që do të thotë se nuk do të ketë një largim të mundshëm nga Vllaznia të trajnerit Mirel Josa.
Maringlen ZHIVANI