Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, në një rrëfim ekskluziv në emisionin “Skaner” në MCN TV, foli për ecurinë e skuadrës dhe fitoren në derbi.

Triumfi ndaj Tiranës, sipas Demit nuk është vendimtar, ndërsa shtoi se duhet shumë punë deri në fund për të marrë titullin kampion.

“Derbi është një pjesë e lojës, është kënaqësia më e madhe për tifozerinë. Është një ndeshje e bukur për tu vlerësuar. Me gjithë ato gabime të vogla të tifozëve, përsëri shkoi shumë mirë. Fati ishte në krahun tonë. Nuk është derbi vendimtar. Ne ishim 4 pikë parë dhe dolëm 6 pikë mbrapa.

Më duket një kampionat shumë i vështirë. Nuk ka skuadra të dobëta. Do jetë i luftuar deri në fund. Jemi minimalisht katër skuadra për kreun, por nuk mund të përjashtohet edhe Teuta. Ekipin e kemi. Duhen ndoshta pak anë psikologjike. Do punojmë deri në fund për të mbrojtur vendin e parë, duhet pak fat”- eshte shprehur ai.

Demi tha se trajneri Colella e bind dhe referuar deklaratës se skuadra nuk është për kampion, u shpreh se e ka bërë për të hequr presionin nga lojtarët.

“Të jem korrekt, trajneri më bind shumë. Skuadrën e pëlqej, sepse vetë i kemi marrë lojtarët. Ndoshta nuk e kuptojnë se çfarë fanellë kanë veshur. Është e rëndë fanella e Partizanit. Duan edhe pak kohë ndoshta, sepse është ekip i ri.

Oshilacionet e skuadrës nuk po i kuptoj. Bëjnë ndeshje të shkëlqyera ndonjëherë, siç ishte ajo me 10 lojtarë ndaj Erzenit. Nuk di çfarë të them. Mendoj ndonjë ngërç psikologjik. Besoj se ekipi e ka marrë veten dhe të vazhdojmë si në derbi.

Trajneri ka episodet e veta në çdo konferencë. Tha nuk jemi për kampion, për t’ia hequr presionin lojtarëve. Është mirë apo keq, do e gjykojmë në një kohë të dytë. Partizani që në fillim luan për kampion. Mendoj se tani do i kemi mundësitë më të mira për titullin.

Ne gare eshte edhe Tirana, edhe Rrogozhina është në garë me ne për titull. Vllaznia nuk diskutohet, sepse nuk e ka për herë të parë. Të gjithë po investojnë. Dëshira ime është që titulli të fitohet nga Partizani. “-eshte shprehur Demi.