Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka rikthyer në qendër të vëmendjes ligjin e sponsorizimit, që do të ishte një mbështetje shumë e madhe për futbollin dhe sportin në përgjithësi.

Gjatë aktivitetit të Korçës ku u prezantuan projektet e studiove ndërkombëtare për stadiumin e ri, kreu i qeverisë së futbollit i bëri thirrje Kryeministrit Rama që të mbështesë krijimin e duhur të shtratit ligjor, pasi ky ligj mund të hedhë themelet e forta për industrinë e futbollit dhe do të sjellë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit.

“I nderuar zoti Kryeministër, do të shfrytëzoj çdo moment e mundësi për të bindur ju, qeverinë dhe parlamentin për Ligjin e Sponsorizimit. Ju garantoj, – duke qenë edhe i fushës, – nuk do të jetë një peshë e përhershme në buxhetin e shtetit, jo një shpenzim i pakthyeshëm, por përkundrazi një investim shumë i suksesshëm.

Ky ligj do mund të hedhë themele të forta për industrinë e futbollit, duke sjellë më shumë taksa në buxhet. Edhe sot që flasim, futbolli ka një ndikim pozitiv në ekonomi me 146 milionë euro në vit. E nëse e kthejmë në një “industri të rëndë” si në shumë vende të Europës, ato taksa do të shumëfishohen”, – deklaroi gjatë fjalës së mbajtur në këtë aktivitet Presidenti i FSHF-së, Armand Duka./newsport/