Stiven Zhang, presidenti i Interit, ka bërë sot pasdite një pohim të çuditshëm i cili me siguri nuk do të qetësojë shumë mbështetësit zikaltër. Edhe pse klubi ka bërë disa hapa para që kur drejtimin e tij e kanë marrë kinezët, situata kaotike që shoqëron vazhdimisht zikaltërit duket se shpjegohet lehtësisht me faktin se Zhang nuk kishte parë asnjëherë një ndeshje futbolli derisa u bë drejtues i tyre.
“Idetë, energji dhe pasioni mund të përforcojnë një sistem. Çdo muaj duhet të përballemi me sfidën e Fair Play Financiar. Çdo herë një klub futbolli duhet të përballet me të. Jo për sportin e strategjinë, por për rregullat, objektivat, ndryshimet e territorit dhe të gjithë klubit, kemi marrë një klub plotësisht offline dhe e kemi bërë që të jetë mes më konkurruesve online.
Sot, sfida ime është te Interi, me Interin. Futbolli është bërë një pjesë thelbësore e jetës time. Kjo është një gjë për t’u dalluar, kur mendoj se para se të bëhesha pjesëtar i bordit drejtues nuk kisha parë asnjëherë një ndeshje të Interit apo futbolli”, theksoi Zhang në një referat në Universitetin e Milanos.
Sipas tij, klubet e Serisë A mund të përmirësojnë financat, duke dhënë edhe ide të cilat në fakt nuk u pëlqejnë shumë italianëve. “Klubet europiane vetëm mund të përmirësohen, por duhet të ndjekin modelin që u tregon Fair Play Financiar.
Të drejtat televizive kanë një rol vendimtar. Shikueshmëria e turneut mund të rritet duke eksportuar në Kinë dhe në Japoni ndeshjet e mëdha të Serisë A”, ishte propozimi i tij. Një derbi i Milanos që luhet në Pekin dhe Tokio nuk do të ishte një gjë e keqe, apo jo? /vipsport/