Keni Daglish mendon se Skocia është më e fortë se Shqipëria dhe duhet të kalojë kuqezinjtë në grupin e Ligës së Kombeve, turneun e ri që fillon në shtator të këtij viti.

Daglish është një nga futbollistët më të njohur të historisë së përfaqësueses skoceze të futbollit dhe të klubit të Liverpulit ku ka qenë një lider i padiskutueshëm dhe një nga golashënuesit më të fortë në qarkullim në vitet ’80.

“Të gjithë duam që Aleks MekLish dhe lojtarët të arrijnë sukses në dy vitet e ardhshme dhe kjo do të thotë kualifikimi në Euro 2020.

FIllon në shtator dhe kemi 4 ndeshje zyrtare që nga ai moment e deri në nëntor. Luajmë ndaj Shqipërisë dhe Izraelit.

Ky është një kalendar vendimtar pasi nëse fitojmë grupin, kemi të sigurt një vend në play-off”, tha ai duke komentuar emërimin e MekLish në stolin e Skocisë.

“Mendoj se ne duhet të përfundojmë të parët në këtë grup. Me siguri që mund ta mbërrijmë me kundërshtarë të tillë, apo jo?

Nuk them se do të jetë e thjeshtë dhe nuk po tregoj mungesë respekti ndaj Shqipërisë dhe Izraelit, pasi e di që kanë gëzuar suksese në 3-4 vitet e fundit.

Megjithatë, nëse nuk përfundojmë të parët në këtë grup, atëherë njerëzit do të shohin situatën dhe do të fillojnë të pyesin pse.

Kjo do të vendoste njerëz në Federatë nën mikroskop dhe askush prej tyre nuk e dëshiron një gjë të tillë”, tha legjenda e futbollit skocez. /vipsport/