Në emisionin informativ të pasdites në Syri TV në një lidhje direkte me moderatoren Enkeleida Zeko është presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj. Kreu i klubit mallakastriot foli për gjendjen në këtë periudhë, teksa pohoi se lojtarët nuk janë paguar prej dy muajsh, pasi edhe bizneset e tij janë bllokuar dhe gjithçka në Shqipëri është në një “ngërç”.

“Së pari uroj që të gjithë të jenë mirë nga kjo gjendje, të mos ketë asnjë të prekur me Koronavirus.Krizën e kemi ndjerë, pasi bizneset që kam thuajse janë të bllokuara. Rreth 90 përqind e bizneseve të mia nuk funksionojnë dhe përderisa nuk funksionojnë bizneset, e kemi ndjerë shumë këtë situatë që po kalojmë. Duke mos funksionuar bizneset dhe me pezullimin e futbollit, nuk ka të ardhura nga biletat apo nga shitja e të drejtave televizive.

Jemi në një moment që s’e kishim parashikuar çdo të ndodhte dhe futbollistët kanë kontratë, ndaj duhet të gjejmë një gjuhë të përbashkët për t’i likujduar.

Të shohim se si do të vendosin edhe klubet e tjera, për të paguar lojtarët, sidoqoftë ne e kemi një plan”.

Presidenti Kapllanaj pohon se lojtarët e Bylisit kanë dy muaj pa u paguar.

“Ne s’i kemi paguar futbollistët sipas kontratave që kanë, pasi dihet si ka qenë kjo periudhë, por kam ndihmuar ata që janë në nevojë. Jemi klub i vogël dhe kush ka patur nevojë i kam ndihmuar, por këto dy muaj të them të drejtën nuk kam bërë pagesa të rregullta”, tha Kapllanaj.

Në lidhje me vazhdimin apo jo të kampionatit, Kapllanaj tha:

“Mendimi im është që kampionati të luhet, pasi aty është bukuria e futbollit. Edhe gara do jetë më e bukur, pasi janë disa ekipe që synojnë Europën apo të shmangin rënien, ashtu sikurse edhe skuadra që janë në Kategorinë e Parë duan të ngjiten në Superiore. Duke u luajtur ndeshjet, gara do të jetë më e bukur”./syri.net/