Presidenti i kampionatit spanjoll La Liga Havier Tebas ka kërcënuar drejtpërdrejt klubet e elitës së futbollit iberik se do të ndëshkohen në rast se refuzojnë të luajnë sërish.

Në një komunikatë të fundit, kreu i elitës së futbollit spanjoll theksoi se nëse ky sezon nuk do të mbyllet, atëherë dëmi financiar llogaritet të jetë 1 miliard euro, nëse mbyllet ky edicion, humbja do të jetë 300 milionë euro.

Shoqata e Futbollistëve Profesionistë të Spanjës ka shprehur shqetësimin për rinisjen e kampionatit teksa Spanjë është shteti i dytë në Europë që është goditur më rëndë nga koronavirusi, ku bilanci i viktimave është 22.524 të vdekur.

“Nëse një klub refuzon të luajë kur autoritetet shtetërore kanë dhënë miratimin për të vazhduar kampionatin, ata do të humbasin ndeshjet në tavolinë. Kemi përllogaritur se humbjet financiare do të jenë 1 miliard euro nëse nuk përfundojmë sezonin. Nëse mbyllet rregullisht kampionati, dëmi do të jetë 300 milionë euro.

Nuk kemi marrë parasysh skenarin që të mos mbyllet kampionati. As UEFA, as La Liga nuk e kanë parashikuar një gjë të tillë. Deri në 31 korrik jam i sigurtë se do të luajmë futboll, ndoshta edhe për më tepër kohë nëse zgjatet sezoni”, deklaroi presidenti i La Liga Havier Tebas.