Henk de Jong, trajneri i skuadrës së Camburit në Kategorinë e Dytë holandeze, ka kritikuar mjaft ashpër vendimin për të mos lejuar ngjitjen në Eredivisie të skuadrave që luftojnë në krye të renditjes.

Skuadra e Camburit është 11 pikë mbi vendin e dytë dhe ngjitja ishte shumë e sigurt të ndodhte, por vendimi i Federatës Holandeze të Futbollit për të anuluar sezonin, vendim i cili përfshin mosrënie dhe mosngjitje nga kategoria, ia prish planet.

“Ky është turpi më i madh në historinë e futbollit holandez. Gjithmonë mundohem të shoh të mirën e njerëzve dhe vendimeve të tyre, por kjo s’ka vlerë për sportin.

Kishim UEFA-n në krahun tonë, klubet ishin në krahun tonë dhe ishim 11 pikë kryesim, pastaj se di çfarë ndodhi. UEFA kërkoi vendime të drejta, por ky nuk është një i tillë”, tha De Jong për “NOS”.