Me trofeun e fituar dje, e ka çuar numrin e tyre në total në 19 (bashkë me 5 trofetë e fituar me Adën e femrave) dhe për rrjedhojë Lazer Matija i Vllaznisë është presidenti më i suksesshëm aktualisht në futbollin shqiptar. Megjithatë ai është gjithmonë modest. Në çdo deklaratë që bën, qëndron me këmbë në tokë dhe gjithnjë thotë se puna do të vazhdojë sepse vetëm duke punuar vijnë edhe sukseset.

Numri 1 i ekipit shkodran pas suksesit të rradhës në Kupën e Shqipërisë ku Vllaznia fitoi 4-0 në finale ndaj Apolonisë ditën e djeshme, në një prononcim për “Shkodra Sport” është shprehur:

– Zoti Matija, prania e presidentit Duka në tribunën e stadiumit për të ndjekur këtë finale, duket se ka qenë një arsye më shumë që Vllaznia të tregojë vlerat e saj më të mira në fushën e lojës?

“Mendoj që ekipi nuk e kishte idenë se kush do vinte për të dorëzuar kupen, por ardhja e presidentit të federatës, vlerësimi që i bën futbollit të femrave është një motiv shumë i mirë dhe i madh për ne, për vajzat, për të gjithë që merren me futbollin e femrave dhe ardhja e atij këtu në këto momente është edhe një mbështetje e mirë për futbollin e femrave, megjithëse ai e deklaroi vetë se këtë vit do jetë një vit që federata do ta mbështesë në të gjitha drejtimet këtë sport.

Për sa i përket ndeshjes, mendoj që ekipi ka punuar gjatë për këtë ndeshje, mendoj që edhe në lojë u paraqit një diferencë e dukshme mes dy ekipeve, pavarësisht se para tre javësh, në ndeshjen e fundit të kampionatit me Apoloninë, ne morëm barazim. Ai barazim na dha mundësinë që edhe ne të shohim realisht problematikat që kishte ekipi, sepse edhe ekipi po vinte direkt prej pushimit të gjatë prej izolimit nga pandemia.

Kjo periudhë i shërbeu ekipit tonë të konsilidohet, sepse në përbërje të tij janë lojtare cilësore, është një grup i mirë që ruhet nga viti në vit dhe mendoj që diferencat u panë qartë. Përveçse u fitua ndeshja, nuk u vendos në asnjë moment në diskutim rezultati. Një rezultat i pastër, një lojë mjaft e bukur, sidomos në pjesën e parë. Në pjesën e dytë,ndoshta nga rezultati që u mor në pjesën e parë, bëri që vajzat disi edhe u kënaqën, edhe u lodhën.

Këtu janë edhe temperaturat shumë të larta dhe duhet pranuar që e ulin disi ritmin e ndeshjes. Por gjithësesi ekipi asnjëherë nuk e vendosi ne diskutim rezultatin. Ne do punojmë vazhdimisht, mendoj që te ky ekip bazat janë të shëndosha, sepse është i ndërtuar nga detajet më të vogla, jo për të fituar trofe , por për të punuar dhe për të arritur nivele të mira ne Europë.

– A do të vijojnë sukseset e ekipit të Vllaznisë edhe në të ardhmen?

Mendoj që po të punojnë edhe ekipet e tjera kështu, futbolli i femrave do të jetë gjithmonë e më lart. Ne kemi detyrën të mbështesim ekipin tonë, për të punuar me ekipin tonë, pastaj trofetë normalisht në qoftë se ekipi i meriton, ne i mirëpresim, sepse në fund të fundit janë fryt i punës
www.shkodrasport.com